Marson Murataj, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës “Bana-King” që importon fruta ekzotike, kryesisht banane nga vendet e Amerikës Latine, Gëzim Kalaja dhe Hasan Saliu, shoferë të kompanisë në fjalë, janë lënë në burg pas sekuestrimit të 119 kilogramëve kokainë në magazinat e biznesit.
Masa e sigurisë u vendos nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas kërkesës së Prokurorisë.
Kjo e fundit kërkoi “arrest me burg” për tre të arrestuarit pasi ka dyshime të forta se kjo kompani është e përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike që ishte nisur nga Ekuadori bashkë me bananet.
Një nga shoferët që ishte në krye të detyrës ditën kur u sekuestrua kokaina tregoi para trupit gjykues së ishte kërcënuar.
Saliu ka treguar se, në afërsi të Romanatit, katër persona e kanë ndaluar dhe e kanë kërcënuar me jetë, madje njëri prej tyre është ngjitur në sediljen e pasagjerit duke i thënë: Hap krahun jemi shteti, ndryshe të vrasim familjen!
Sipas dëshmisë së dhënë nga Saliu, tre të tjerët kanë mundur të hyjnë brenda konteinerit dhe kanë bërë rrëmujë gjithçka e më pas janë larguar pas marrë asgjë.
Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Sipas dosjes, me datë 28 dhjetor 2021 në orën 18.30 shoferi Hasan Saliu ka shkuar me kamionin me targa ‘AA 126 RE’ në portin e Durrësit për të marrë konteinerin me banane që kishte ardhur nga Ekuadori, kishte kaluar në portin Gioa Tauro në Itali dhe kishte si destinacion final ambientet e kompanisë “Zico SHPK” (pjesë e të cilit është dhe Bana-King) në Vaqarr.
Pikëpyetje e madhe është ngritur për faktin që shoferi nuk njoftoi policinë pas kërcënimit që mori në rrugë, por sistemoi arkat me banane, mbylli kamionin dhe njoftoi kolegët se i ishin shpuar dy goma. Në Romanat ka shkuar shoferi tjetër Gëzim Kalaja. Pasi janë ndërruar gomat, Saliu e ka çuar kamionin në kompani.
Të nesërmen, shoferi Saliu ia ka treguar ngjarjen Marson Muratajt, administratorit të “Zico SHPK”. Kur policia ndërhyri, zbuloi se në 7 arka, në pjesën e poshtme të tyre ishin fshehur 100 pako me lëndë narkotike kokainë. Për pasojë, administratori e tre shoferët u vunë në pranga.
Ajo që raportohet gjithashtu është se autoritetet në Itali kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës). Ata kanë ushtruar kontroll, kanë konstatuar mungesë të disa arkave me banane, por sërish e kanë mbyllur konteinerin dhe e kanë lënë të nisej drejt Shqipërisë.
Nuk dihet nëse e gjitha kjo është bërë me qëllim për të zbuluar destinacionin ku dhe do të mbërrinte kokaina, në kompaninë në Vaqarr, ku u zbulua droga mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit që lamë pas.
/Priza.al/