Punonjësit e aeroportit të Rinasit kanë njoftuar se udhëtimet në të gjitha shtetet do të nisin pas orës 17:00. Lajmin e ka përcjellë A2CNN. Në ambientet e aeroportit ka një numër të madh udhëtarësh që presin të fluturojnë në destinacione të ndryshme. Për ditën e sotme, janë parashikuar 38 fluturime nga aeroporti i Rinasit. Më shumë se gjysma e tyre duhet të kishin kryer ulje apo ngritje nga aeroporti i Rinasit.
Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl, kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje, dhe janë deklaruar të paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre, duke pezulluar fluturimet në Aeroportin e Rinasit.
Sakaq, deri më tani ka shkuar në 28 numri i kontrollorëve që janë shoqëruar, ndërkohë që prej 3 prej tyre të cilët janë organizatorët janë prerë urdhër-arrestet nga Prokuroria. Tre kontrollorët që vijojnë të mbahen në polici janë kreu i sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini.