Gjyqtari Luan Daci reagon publikisht pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta dënuar me gjashtë muaj burg për falsifikim dokumentesh.
Në një konferencë për media, gjyqtari Daci thekson se GJKKO e ka dënuar atë për “Falsifikim Intelektual”, duke e cilësuar këtë një “shpikje juridike”, pasi sipas gjyqtarit, “kjo ‘vepër penale’ nuk ekziston fare në legjislacionin penal shqiptar.
Deklarata e gjyqtarit Daci:
Në radhë të parë, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë shtypi, të thirrur nga ana ime, si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, anëtar i institucionit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë – gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhomë paralele e Gjykatës Kushtetuese, që funksionon dhe është e organizuar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Aneksit të saj).
Sqarimi i situatës juridiko-kushtetuese të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Luan Daci, në lidhje me dy fakte evidente:
a. Dënimi im penal pa ligj – pa fakt penal, pa vepër të parashikuar e përcaktuar në legjislacionin penal shqiptar si vepër penale. Nuk kam falsifikuar asnjë dokument zyrtar apo formular zyrtar të paraqitur përpara Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Shqipërisë. I gjithë dokumentacioni i paraqitur dhe dorëzuar prej meje ka qenë dhe është i rregullt, zyrtar dhe i vlefshëm e i pakontestuar nga këto organe, si dhe nga 6 komisione të procedurës.
b. Nuk kam falsifikuar asnjë formular dhe asnjë dokument të cilitdo lloji, të kërkuar nga organi i procedurës, siç vërtetohet me dokument të tij të dyanshëm, i titulluar “Vërtetim” me nr. prot. 8, datë 06.02.2017, lëshuar tri ditë pas aplikimit tim për pozicionet në organet e vettingut. Gjithçka që kërkonte ky dokument i dyanshëm, i firmosur prej meje dhe prej Avokatit të Popullit, pra dokumente apo të dhëna, është paraqitur në mënyrë korrekte nga ana ime, pa korrigjuar, pa fshirë, pa gërvishtur asnjë të dhënë mbi to. Pra, nuk kam falsifikuar asnjë dokument, asnjë formularm, pra jam absolutisht i pafajshëm. Jam dënuar pa fakt penal e në shkelje të Nenit 388/1, pikat a, b, c, d të Kodit të Procedurës Penale.
Jam dënuar për një “vepër penale” të quajtur nga GJKKO “Falsifikim Intelektual”, që NUK EKZISTON FARE NË LEGJISLACIONIN PENAL SHQIPTAR! Pikërisht, kjo shpikje juridike, kjo normë e krijuar, si nga Prokuroria e SPAK, ashtu edhe nga Gjykatat Penale të Posaçme, është shkaku i parë, fenomeni i parë juridik, për të cilin unë kam thirrur këtë konferencë dhe dëshiroj të informoj opinionin qytetar, mediat dhe opinionin ligjbërës shqiptar, se në vendimin penal ndaj meje, prokurorët dhe disa gjyqtarë të kësaj çështjeje (gjyqtarja e GJKKO-së së Shkallës së Parë, dy gjyqtare të GJKKO-së së Apelit dhe dy gjyqtarë të Gjykatës së lartë, në shkelje të hapur të Ligjit Themelor të shtetit shqiptar, që është Kushtetuta, sipas Nenit 145/1 të saj, jo vetëm nuk i janë nënshtruar ligjit dhe Kushtetutës, siç urdhëron për ta kjo normë kushtetuese, por kanë shpikur normë ligjore, duke marrë kështu atributet e organit më të lartë të pushtetit shtetëror, që është Kuvendi i Shqipërisë (pushteti legjislativ)! Pra, me arbitraritet, shkelje e mosrespektim të Nenit nr. 1, 2, 3 të Kodit Penal, organet e gjyqësorit, për të më dënuar mua, kanë krijuar ligj të paparashikuar në legjislacionin penal shqiptar, duke shpikur normën e të ashtuquajturit “falsifikim intelektual”. Kjo e bën këtë proces haptazi të kundërligjshëm, nëpërmjet Nenit 388/1, pikat a, b, c, d të Kodit të Procedurës Penale, haptazi në shkelje të Nenit 7 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), sipas të cilit nuk ka dënim pa ligj, si dhe në shkelje të Nenit 29/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pra në rastin tim, kanë krijuar një precedent për një vepër të paparashikuar si vepër penale. Konkretisht, “falsifikim intelektual” kallëzuesit, prokuroria dhe gjyqtarët e përfshirë në këtë proces kanë konsideruar shprehjen time në Kërkesën – Aplikim për pozicionet në tre instituiconet e rivlerësimit, e cila bazohet në Nenin 6/1/dh, me këtë përmbajtje:
f. Ndaj meje nuk eshte marre mase disiplinore e largimit nga puna ose ndonje mase tjeter disiplinore, e cila eshte ende ne fuqi, sipas legjislacionit ne momentin e aplikimit.
Në mëynrë të turpshme, akuza ka bërë lojë fjalësh, duke e prerë në mes këtë fjali, e duke lënë prej saj vetëm:
f. Ndaj meje nuk eshte marre mase disiplinore e largimit nga puna ose ndonje mase tjeter disiplinore.
Këtë e ka cilësuar si “falsifikim intelektual”! Përveçse absurd dhe krejtësisht joligjor, edhe në kuptimin gjuhësor, ky term është i gabuar, pasi në të vërtetë, falsifikim intelektual është pjesë e plagjiaturës dhe nuk lidhet aspak me falsifikim dokumentesh.
Mbi të gjitha, kërkesa është shprehje e lirë e interesit dhe e vullnetit të kërkuesit, përpilohet prej tij në mënyrë diskrecionale (sipas dëshirës së tij) dhe shpreh vetëm interesin, pozicionin (objektin) dhe afatin kohor.
Sqaroj gjithashtu se masa disiplinore e pretenduar është marrë në mungesë time plot 20 vjet përpara aplikimit tim për në pozicionet e vettingut (1997-2017) dhe se nuk jam njoftuar asnjëherë për të përpara fillimit të procedimit penal (2020). Gjithashtu, theksoj se nuk ekziston asnjë masë disiplinore me kohëzgjatje 20-vjeçare! Gjithashtu, prokuroria, e iniciuar zyrtarisht nga të shkarkuarit prej meje dhe jo kryesisht, bëri edhe një sërë akuzash të tjera, të cilat ranë gjatë procesit.
II. I njëjti fenomen i dënimit pa ligj, përsëri në shkelje të Nenit 100/2 të Ligjit nr. 96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është shkelur haptazi edhe nga Komisioni Disiplinor i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kur ai mori Vendimin e tij nr. 1 (JD) në datën 09.12.2021, me të cilin u vendos shkarkimi im nga detyra, sikurse edhe ai penal, pa ekzistuar shkaku i indisiplinimit tim, që përcaktohet e parashikohet qartë në Nenin 16 të Ligjit të Posaçëm të Vettingut, me nr. 84/2016, i cili garanton funksionimin e organit konkret të KPA-së.
Komisioni disiplinor i KPA-së, në shkelje të qartë të Nenit 6 të Kushtetutës së Shqipërisë, e devijoi referencën e tij ligjore, duke anashkaluar urdhërimet e këtij Neni dhe të Nenit 4/1 po të Kushtetutës dhe kaloi te Neni 128//2/b i Kushtetutës, duke injoruar Ligjin e Posaçëm 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Repubikën e Shqipërisë” (Ligji i Vettingut) dhe urdhërimet e posaçme të Kushtetutës (Aneks) në Nenin C/16 të saj:
Neni C
“Anëtari i Komisionit, gjyqtari i Kolegjit të Apelimit dhe Komisioneri Publik mban përgjegjësi disiplinore. Rastet e shkeljes disiplinore shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit, sipas ligjit.”.
Neni 16
Përgjegjësia disiplinore e anëtarit të institucioneve të rivlerësimit
Anëtari i institucionit të rivlerësimit mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkak të:
…. listohen 16 raste – pika dhe në pikën 17 theksohet:
17. Raste të tjera të parashikuara nga ky ligj.
/Priza.al/