Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nanon ka mbledhur ditën e sotme drejtuesit e 12 qarqeve lidhur me ngjarjet kriminale në vend dhe garantimin e sigurisë.
Siguria, kriminaliteti dhe lufta ndaj kultivimit të drogës janë fokusi i takimit, ku drejtorët e qarqeve do të raportojnë për punën e tyre të bërë gjatë viti të kaluar, por do të jepen edhe udhëzimet e duhura nga kryepolici lidhur me garantimin e jetës së qytetarëve por dhe kapjen e autorëve të atentateve të fundit të ndodhura në vend, që kanë mbetur të pazbardhura. Mbledhja ka nisur që në orën 10.00 dhe është takimi i parë i zhvilluar për 2022 .
Në fokus të takimit ka qenë marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Po ashtu, burime pranë takimit theksuan se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente.
Behet me dije se ndër porositë e Gledis Nano-s ishin edhe intensifikimi i kontrolleve në territor për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, si dhe kontrolle në varreza makinash apo servise, ku çohen mjetet që përdoren në ngjarje kriminale.
Ndërkaq, drejtori i Policisë u ndal edhe te parandalimi i aksidenteve rrugore, duke kërkuar intensifikim të kontrolleve me makinë inteligjente, radarë, mjete të paloguara.
Nano ka bërë të ditur se gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë pritet të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masve për t’i zgjidhur ato.
Sipas tij, sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së “bluve”.
Më 4 janar u shënua dhe viktima e parë e një atentati për 2022, ku humbin jetën Erion Çela nga breshëria e kallashnikovit dhe u plagosën 4 të tjerë, gjatë kohës që po konsumonin kafe në një lokal në “Don Bosko”. Ndërsa më 3 janar në spitalin e Lezhës u shfaq me 3 plagë plumbi Vinçens Piroli, i cili tha se u plagos në Shkodër. Piroli dyshohet se është vrasës me pagesë, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Ulqin të Malit të Zi.
Edhe 2021 nuk u mbyll i qetë nga kriminelët, ku një kamion me 119 kg kokainë u kap në Tiranë në arkat me banane. Është mister fakti se si është e mundur që skaneri s’ka kuptuar asgjë edhe pse brenda në kamion ishin 100 pako kokainë.
/Priza.al/