Punime në godinën e PD-së/ Dera kryesore hapet vetëm për Kryetarin! Hiqen nga korridori fotot e qeverisjes Berisha

Teksa të gjithë ishin duke festuar ndërrimin e viteve, në selinë blu nisën punimet që ajo të kishte një “fytyrë” të re në Vitin e Ri. Ndryshimi dallohej qartë në pamjen e jashtme, por punimet nuk kishin përfunduar akoma.

Punonjësit e kompanisë që kishte marrë përsipër të rifreskonte në pamjen vizuale PD-në punuan edhe dje nga mëngjesi deri në darkë vonë. Xhamat e tejdukshëm të fasadës së godinës ishin veshur me letër adeziv, e cila pamundësonte shikimin nga jashtë-brenda, ndërsa letra mbante logon e Partisë Demokratike.

“Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillim viti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë”, lajmëroi selia blu përmes një njoftimi për mediat.

Ndërkohë që mësohet se të gjitha ambientet e brendshme të selisë po lyhen me bojë.

Sakaq, burime  që u futën në ambientet e selisë blu konfirmuan se në korridorin e godinës në katin e parë janë hequr disa foto të mëdha që ndodheshin në muret anësore në të djathtë dhe në të majtë të korridorit ku shfaqeshin momentet më të suksesshme të qeverisjes së Berishës, siç ishin inaugurime të ndryshme apo futja në NATO.

Në vend të tyre, bëjnë me dije burimet, janë vendosur sloganet “zgjedhim të ardhmen” në formatet e ngjashme që u përdorën edhe në Kuvendin e 18 dhjetorit që u thirr nga Kryesia e PD-së. Ndërkohë, po sipas të njëjtave burime, mësohet se në ambientet e brendshme të selisë nuk janë instaluar dyer të blinduara apo hekura për të pamundësuar hyrjen.

/Burimi: Panorama/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *