‘Patronazhistët’ dhe AKSHI, strumbullari i nxjerrjes së të dhënave të data-bazës së pagave/ Prokuroria hedh poshtë pretendimet e qeverisë  

Në ditët e fundit të vitit që sapo u mbyll (2021), kryeministri Rama dhe Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, u munduan me të gjitha format të mbushnin mendjen e opinionit dhe mediave se skandali i të dhënave për pagat dhe ma pas ai për targat, nuk kishin rrjedhur nga “e-Albania”.

Por vetëm pas 1 jave me hyrjen e vitit të ri 2022, është Prokuroria e Tiranës ajo që ka rrezuar pretendimet e qeverisë dhe dyshes Rama-Karçani, se të dhënat dhe data-bazet nuk kishin dalë prej AKSHI-t.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë të dyshuarit kryesorë, për skandalin e publikimit të listë-pagesave të mbi 690 qytetarëve punonjës të administratës publike apo bizneseve private në vend.

Burime të besuara pranë Prokurorisë së Tiranës, konfirmuan për mediat se, kanë mundur të identifikojnë se cilët punonjës të AKSHI-t, kanë pasur akses në sistem, ku kanë kopjuar dhe shpërndarë data-bazën e pagave.

Skandali thellohet edhe më shumë, përderisa prokuroria ka dyshime të forta se, të njëjtët zyrtarë që shpërndarë në mënyrë të paautorizuar listë-pagesat e qytetarëve, më herët nxorën edhe data-bazën me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit, e njohur si “Dosja e patronazhistëve”, ku krahas emrit, mbiemrit dhe numrit të ID-së, secili patronazhist shënonte preferencën politike të votuesit.

Dosja e njohur si “Patronazhistët” u hetua më herët nga SPAK, por ky institucion “lau duart” nga frika se në mes ishin struktura ekzistuese të PS-së, duke iu kaluar “topin” organit të akuzës në kryeqytet.

Sipas Prokurorisë, për shkak se janë ngritur dyshime të bazuara në prova, që të dyja data-bazet janë shpërndarë nga e njëjta linjë dhe rrjedhin nga i njëjti institucion.

Për këtë grupi i hetimit ka gjasë t’i bashkojë dhe hetojë në një çështje të vetme të dyja dosjet.

Për të siguruar prova, prokuroria krahas këqyrjes së sistemit dhe kompjuterave të këtyre zyrtarëve, ka kryer dhe përgjime e vëzhgime të disa prej të dyshuarve, të cilët në bisedat mes tyre, kanë nxjerrë detaje që i kanë shërbyer hetimit.

Zyrtarë të Prokurorisë thanë se, së shpejti pritet të ketë rezultate konkrete për hetimin, por se pjesa më e vështirë e tij do të jetë përcaktimi i motivit, se përse u publikuan listë-pagesat e mijëra qytetarëve.

Rrjedhja e të dhënave të një numri kaq të lartë qytetarësh, konsiderohet një nga skandalet me të rënda të ndodhura vitet e fundit, pasi të dhënat personale të punonjësve të administratës, por edhe atyre të biznesit privat, mund të keqpërdoren nga individë, por edhe grupe kriminale.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *