Edhe pse qeveria amerikane predikon çdo ditë që popullsia të vaksinohet kundër koronavirusit, në shtetin që mbahet si “djepi i demokracisë” liritë themelore të njeriut prevalojnë ndaj çdo detyrimi apo imponimi, qoftë ai edhe federal.
Për pasojë në këtë vend vaksinimi nuk është i detyrueshëm, edhe pse që nga Presidenti Biden dhe shumë anëtarë të tjerë të qeverisë, e kanë demostruar publikisht se janë vaksinuar.
Por një mësuese e një shkolle në Nju Jork, është arrestuar pikërisht se ka injektuar vaksinën anti-covid nxënësit të saj. Laura Russo e kreu injeksionin në shtëpinë e saj, pavarësisht se nuk kishte kualifikim mjekësor, autorizim ligjor, apo lejen nga prindërit e nxënësit.
Kanë qenë këta të fundit që me sa duket kanë bërë edhe denoncimin pranë autoriteteve, duke bërë që 54-vjeçarja të arrestohet pikërisht në mbrëmjen e Vitit të Ri dhe tashmë mund të përballet me të paktën 4 vite burg.
Mediat e huaja raportojnë se 17-vjeçari e kishte kërkuar vaksinën, por ai konsiderohet ende si minoren, ndaj për pasojë mësuesja e tij duhet të merrte më parë miratimin e prindërve.
Është ende e paqartë se cilën vaksinë injektoi Russo te nxënësi i saj, apo edhe si arriti ta merrte. Deri tani, në SHBA lejohet vetëm vaksina “Pfizer” për personat nën moshën 18 vjeç.
Injeksionet e vaksinës mund të jenë të rrezikshme nëse nuk kryhen si duhet.
Doktorët dhe punonjësit e licencuar të mjekësisë, duhet të verifikojnë vërtetësinë dhe datën e skadencës. Pacientët duhet të deklarojnë historikun e tyre mjekësor dhe të ndiqen në ditët në vazhdim pas marrjes së dozës.
/Burimi: tvklan.al/