Foto/ Pagëzimi i Zotit, ja si festohet dita e ‘Ujit të Bekuar’ në qytetet e Shqipërisë

Dita e sotme 6 Janari, simbolizon festën e kremtimit të Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht në ujërat e lumit Jordan ose siç nihet ndryshe dita e ujit të bekuar për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë. Kjo festë është festuar në mënyra të ndryshme në qytete të ndryshme të vendit.

Berat:

Në qytetin e Beratit ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, iu drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.

7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur kryqin. Kryqi u kap nga 26-vjeçari Pirenc Zharra,banues në lagjen “Goricë” në Berat.

Fier:

Edhe në qytetin e Fierit besimtarët ortodoksë paraditen e sotme kanë festuar ditën e Ujit të Bekuar. Me këtë rast kisha e Shën Gjergjit e këtij qyteti ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë.
Ka qenë 18-vjeçari Athanas Davidi ai që ka nxjerre kryqin nga uji për të 7-tin vit radhazi.

Sarandë:

Besimtarë të shumtë iu drejtuan kishës së Shën Harallambit, në qytetin e Sarandës, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit e dhënë nga At Kozmai i kishës “Shën Harallambi”. Me hedhjen e kryqit në ujë simbolikisht është bërë edhe bekimi i të gjitha ujërave. Pas Kryqit janë hedhur në ujërat e ftohta disa të rinj. Kryqin e shenjtë në këtë 6 janar e kapi Lluka Todhri 42 vjeç.

Gjirokastër:

Dhjetëra banorë të Gjirokastrës kanë marrë pjesë sot në ceremonitë fetare që shoqërojnë këtë ditë.
Ceremonitë kanë filluar me meshën tradicionale në kishën e Kryeengjëjve që është pasuar nga hedhja e Kryqit, që kësaj here u bë brenda në kishë dhe jo në ujërat e lumit si ka qenë tradita e përvitshme. Për At Joanin kjo ditë e bekuar shoqërohet me një simbolikë të shenjtë për çdo besimtar.
Kjo festë e besimit ortodoks përkujton çdo vit ceremoninë e pagëzimit të Krishtit nën simbolikën e purifikimit të mëkateve dhe shfaqjen për herë të parë të trinitetit. Pas shërbesës së bekimit të ujit besimtarët marrin ujin e bekuar duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *