Festat/ Omicron dhe ulja e mbrojtjes nga vaksina 3-fishojnë rastet pozitive me COVID-19

Rritet ndjeshëm numri i rasteve pozitive sipas testimeve për Covid-19 në klinikat laboratorike private në vend.

Në klinikat private fluksi i testimeve në javën e parë të janarit është 3 herë më i lartë se muaji dhjetor. Në Qendrat Shëndetësore Shtetërore 40% e rasteve ditore me simptomat e kollës, dhimbjes të kokës dhe temperaturës janë të prekur nga Covid-19, kurse pjesa tjetër nga gripi sezonal.

Mjekët pohojnë se shkaku i rritjes të rasteve pozitive është heqja e kufizimit të lëvizjeve për festat e fundvitit, ardhja e emigrantëve, prania e variantit Omicron që ka shpejtësi më të lartë përhapje sesa Delta, si dhe rënia e uljes të mbrojtjes nga vaksina.

Mjeku anestezist, Vasil Llajo, administrator i rrjeteve laboratorike mjekësore “Intermedica” tha për Monitor se këtë javë të parë të vitit fluksi i pacientëve që kërkojnë të kryejnë testin për Covid-19 është 3-fishuar, në raport me muajin dhjetor 2021. Llajo shton se po ashtu 3 herë më të larta se muaji dhjetor 2021 janë rastet pozitive të kësaj jave, kryesisht te persona të pavaksinuar.

“Parashikohet që fluksi i pacientëve në klinikat laboratorike të jetë i lartë deri në fund të muajit janar. Fillimi i shkurtit pritet që rastet pozitive të shënojnë rënie. Rritja e lartë e rasteve pozitive me Covid-19 është për shkak të efektit të festave të fundvitit, ku njerëzit ishin më të lirshëm në lëvizje. Arsyeja tjetër e shtimit të rasteve është edhe shfaqja e variantit Omicron që rezulton të ketë 70% më shumë shpejtësi përhapje sesa varianti Delta”, pohon mjeku Vasil Llajo duke shtuar se vetëm analizat specifike laboratorike arrijnë të përcaktojnë variantin e infeksionit te pacientët e sëmurë.

Nga rrjeti i laboratorëve “Intermedica” (në Tiranë janë 13 pika) për muajin janar 2021 janë kryer 10,178 tamponë dhe 6% ishin pozitive. Në muajin shkurt u kryen 12,654 dhe 11.8% dolën pozitivë. Për periudhën gusht-dhjetor, nga totali i testimeve të kryera, pozitive me Covid-19 rezultuan 9% e tyre.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë më 5 janar rastet pozitive arritën në 1,236 apo 35% më të larta se të një ditë më parë.

Në Shqipëri, protokolli shëndetësor përcakton se çdo individ që shfaq simptoma të Covid-19, fillimisht merr kontakt me mjekun e familjes, duke u paraqitur vetë në qendrën shëndetësore, ose ndonjë familjar. Në varësi të shenjave në përgjithësi i rekomandohet testim i shpejtë, nëse është në tre ose katër ditët e para të simptomave.

Mjekja e familjes së Qendrës Shëndetësore-Kamëz, Elizabeta Musta thotë se që prej datës 27 dhjetor po paraqitën në ditë mbi 200 pacientë me simptoma, si kollë, temperaturë dhe dhimbje koke. “Shumica e pacientëve me këto simptoma rezultojnë të sëmurë nga gripi sezonal, ndërsa 40% e tyre pas testimeve dalin me Covid-19. Mes tyre po rezultojnë pozitivë edhe persona të konfirmuar pozitiv me testim 1 vit më parë dhe të vaksinuar para 6 muajsh me 2 doza. Arsyet e shtimit të rasteve me Covid-19 janë festat, ardhjet nga jashtë, prania e Omicronit, por edhe si shkak e uljes të mbrojtjes nga vaksina”.

Mjekja Elisabeta Musta ndër të tjera pohon se po hasen vështirësi edhe me testet e shpejta se shumë herë dalin fals negativ. “Duhet theksuar se edhe kur del testi negativ, prekja në mushkëri është infiltrim me origjinë inflamatore, dmth pneumoni nga Covid-19”.

Në këto 2 javë të shtimit të rasteve pozitive, në Qendrën Shëndetësore Kamëz, mjekja e familjes konfirmoi se nuk ka pasur rritje të rasteve për hospitalizim, me përjashtim të 2 ose 3 rasteve me sëmundje bashkëshoqëruese.

Sakaq, Shqipëria vijon të ketë numrin më të ulët të vaksinuarve me dy doza. Nga nisja e fushatës të vaksinimeve në shkurt të 2021 deri më 4 janar 2022, sipas të dhënave të Our World in Data në Shqipëri rezulton 37% e popullatës të ketë marrë të dyja dozat e vaksinës. Në Maqedoninë e Veriut të vaksinuarit zënë 39%, në Kosovë dhe Malin e Zi 40%, në Serbi 47% të popullatës, Kroaci 53% dhe Greqi 65%. Për shtetet e BE-së mesatarja e të vaksinuarve me dy doza zë 63% të popullatës.

 

 

/Burimi: Monitor/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *