Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle të befasishme në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën e Durrësin, ku kanë arrestuar edhe disa persona.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur, se janë kapur e arrestuar 19 persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të arrestuar në Nikël, Krujë: Zenel Haka, Gazmir Haka dhe Marklen Haka
Të arrestuar në Tiranë: Olsi Hasa, Alfed Ulaj, Mariglen Picari, Marjus Dosti, Aleks Delihasani, Ervis Sula dhe Lami Troci
Të arrestuar në Lezhë: Gentian Ndoj, Aleksandër Bardhoshi, Albert Marku, Jeton Locaj, Renato Gjura, Ervin Nika, Anton Kola
I arrestuar në Vlorë: Gentjano Mehmeti
Në Gjirokastër: Klement Shehu
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Shtetit
Kontrolle të befasishme me qëllim kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, që posedojnë dhe shpërndajnë lëndë narkotike apo ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Kontrollet nga strukturat vendore të Policisë, me mbështetje nga Forcat Speciale Renea.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër u kapën dhe u arrestuan 19 persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë kontrolleve në Tiranë, Nikël/Krujë, Lezhë dhe Vlorë u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, shuma të konsiderueshme parash, aparate celulare, çipsa dhe letra bixhozi.
Në Nikël u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, shtetasit Z. H., 22 vjeç, G. H., 23 vjeç dhe M. H., 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit në një lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, muncion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje.
Në Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi G. M., 31 vjeç, pasi në lagjen “1 Maji”, Vlorë, në ambientet e lokalit të tij, këtij shtetasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Në Gjirokastër është kapur dhe vënë në pranga një person në kërkim ndërkombëtar, konkretisht shtetasi Klement Shehu, 39 vjeç, banues në Libohovë, Gjirokastër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2019, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës ”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 21 ditë burgim.
Në Tiranë u arrestuan në flagrancë shtetasit:
O. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi kishte përshtatuar lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular;
A. U., 21 vjeç, sepse në rrugën “Abdi Bej Toptani”, kishte përshtatuar lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular;
M. P., 43 vjeç, sepse në fshatin Picar, kishte përshtatuar lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular;
M. D., 32 vjeç, banues në Kavajë, pasi në lokalin e tij, me anë të aparatit celular, organizonte lotari të palejuara, me klientë të ndryshëm.
A. D., E. S. dhe L. T., banues në Tiranë, pasi në Rrugën e Arbrit, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L. T., u gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu u proceduan penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”.
Në Lezhë janë arrestuar në flagrancë shtetasit: G. N., 34 vjeç, pronari i një lokali në Shënkollë dhe A. K., 25 vjeç, pronari i një lokali në Zejmen, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe shtetasit A. B., 52 vjeç, A. M., 38 vjeç, J. L., 37 vjeç, R. Gj., 23 vjeç, E. N., 30 vjeç (klientë në lokal), pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Kontrollet do vijojnë në gjithë territorin, për të parandaluar e goditur paligjshmërinë dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë e reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
/Priza.al/