Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Lulzim Bashës se brenda selisë së PD kishte armë dhe këto armë u nxorën jashtë me makinën e tij.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, një ditë pas protestës, Berisha po ashtu u shpreh se Basha hartoi listën e demokatëve që duhet të arrestoheshin.
“Pra Basha është sot në armiqësi të plotë dhe totale me të gjithë anëtarësinë e PD, me të vdekur dhe të gjallë të kësaj partie.
Ka ndenjur mbrëmë deri në mëngjes duke bërë listat e demokratëve që donte të arrestoheshin. Ka fshehur vrasësit në seli. Të dhëna të sigurta Basha ka nxjerrë armët e tyre me mjetin e tij, që në rast se policia do të hynte të mos gjendeshin banditët e armatosur që ka brenda”, tha Berisha.
Berisha nuk dha datë për protestën e radhës, por u shpreh i sigurt se ajo do të zhvillohet ndërsa tregoi edhe arsyet se pse e mbyll tubimin.
“Thjesht ishte gazi që hodhën sasira toksike dhe që njerëzit ishin të shtrirë nga helmimi. Në betejë ka edhe tërheqje kur përdoren lëndë toksike. Por unë isha këtu, vazhdova, hodhën gaz tek mua, por përkundrazi kjo më motivon më shumë për të triumfuar”, tha Berisha.
/Priza.al/