Shtatë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara në nivel global “me një diferencë të qartë”, raportoi të hënën shërbimi i monitorimit të klimës i Bashkimit Evropian, pasi ngriti alarmin për rritje të mprehta të përqendrimeve rekord të metanit në atmosferë.
Sipas mediave të huaja, vendet në mbarë botën janë goditur nga një sulm i pamëshirshëm i katastrofave të motit të lidhura me ngrohjen globale në vitet e fundit, duke përfshirë zjarret rekord në të gjithë Australinë dhe Siberinë, një valë të nxehti “një herë në 1000 vjet” në Amerikën e Veriut dhe reshjet ekstreme që shkaktuan përmbytje masive në Azi, Afrikë, SHBA dhe Evropë.
Në vlerësimin e tij të fundit vjetor, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) konfirmoi se viti 2021 i ishte bashkuar brezit të ngrohtë të pandërprerë që nga viti 2015.
Aty u zbulua se viti i kaluar ishte i pesti më i ngrohti i regjistruar globalisht, pak më i ngrohtë se 2015 dhe 2018.
Temperatura mesatare vjetore ishte 1.1 deri në 1.2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, e matur midis 1850 dhe 1900, tha C3S.
Në përgjithësi, shërbimi i monitorimit konstatoi se shtatë vitet e fundit “kanë qenë vitet më të ngrohta të regjistruara me një diferencë të qartë”.
“2021 ishte një vit tjetër i temperaturave ekstreme me verën më të nxehtë në Evropë, valë të nxehtit në Mesdhe, për të mos përmendur temperaturat e larta të paprecedentë në Amerikën e Veriut”, tha drejtori i C3S, Carlo Buontempo.
“Këto ngjarje janë një kujtesë e fortë e nevojës për të ndryshuar veprimet tona, për të ndërmarrë hapa vendimtarë dhe efektivë drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe për të punuar drejt reduktimit të emetimeve neto të karbonit”.
/Priza.al/