Basha kthen zyrat e FRPD-së në magazina, të rinjtë: Po cënohet pluralizmi, PD nuk është pronë private!

Të rinjtë demokratë që janë pjesë e Forumit Rinor të PD-së (FRPD) kanë shkuar në selinë blu por i kanë gjetur sërish dyert mbyllur.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së Minushe Lazaj, tha se kontributin e saj e ka dhënë që në moshën 15-vjeçare dhe sot, si shumë demokratë të tjerë, nuk e lejojnë të hyjë në selinë e partisë.

Në një deklaratë për mediat, Lazaj akuzoi policinë se po vepron me standarde të dyfishta dhe se nuk iu përgjigj denoncimeve të kreut të FRPD-së pak kohë më parë për thyerjen e zyrës së tyre. Sipas Lazajt, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha duhet të bëjë thirrje për votim popullor nëse dëshiron të vazhdojë si kryetar, sepse shumica e anëtarëve tashmë kanë votuar për shkarkimin e tij.

Deklara për mediat

‘Ne jemi një grup të rinjsh nga kryesia anëtarë të FRPD erdhëm në zyrat e FRPD për të zhvilluar një mbledhje pune, por siç e patë zyrat janë mbyllur dhe kthyer në magazinë. Logot e FRPD janë zhdukur. Është shokuese kjo që po ndodh. Unë jam Minushe Lazaj, jam në FRPD-në.

Kam kontribut 15-16 vitesh në forumet e PD-së dhe e punësuar në departamente të PD-së dhe sot nuk lejohem të hyjë. Zyra ime është bastisur. Është lyer me alkool për të fshirë gjurmët. Është tragjike që PD është aset kombëtar dhe të shndërrohet në këtë derexhe nga ai që konsiderohet si lider europian. Këlliçi e denoncoi bastisjen e zyrave të PD dhe policia nuk iu përgjigj, kurse thirrjes së Bashës menjëherë.

Pra, lëvizje me dy standarde.

Kjo është tragjike për Shqipërinë që po cënohet pluralizmi. Nëse zoti Basha ka dyshim mbi shumicën dërrmuese të demokratëve atëherë të kalojë në votëbesim. Kujt i trembet ai? Le ta kalojë në votë. PD nuk është pronë private, por e gjithë anëtarësisë së PD dhe formohet nga anëtarësia, jo nga kryetari që është sot e nesër vjen dikush tjetër’, tha anëtarja e FRPD-së Minushe Lazaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *