Protesta e dhunshme në PD, reagon Meta për herë të parë: Basha përgjegjës për dështimet

Presidenti Ilir Meta ka komentuar zhvillimet e fundit në kampin demokrat, ku së fundmi Sali Berisha zhvilloi një protestë në selinë blu, ku u shënuan incidente të dhunshme. Në një intervistë për TV21 Maqedoni kreu i shtetit tha se Lulzim Bashës i takon përgjegjësia për dështimet e opozitës.

“Përgjegjësia ekskluzive për dështimet e opozitës i takon Lulzim Bashës”, tha mes tjerash presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, raporton “TV21”.

Meta thotë se si shtete duhet t’i shtojmë përpjekjet për të shkuar bashkë drejt kësaj rruge dhe për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë dhe që çështjet bilaterale të mos bëhen pengesë për aderimit e ndonjë shteti në BE.

Kreu i shtetit u shpreh se së shpejti do të vizitojë presidentin bullgar Rumen Radev dhe do të bisedojë për të parë se çfarë mund të bëhet për zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar.

Meta foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, për të cilën tha se nuk mund të bëj avokatin e një nisme që deri më tani 3 herë e ka ndërruar emrin. Nisma nuk është gjithëpërfshirëse, më shumë ka pasur debate mbi këtë nismë se sa rezultate, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Mes të tjerash u diskutua edhe për tryezën e partive shqiptare të Maqedonisë, për të cilën tha se do të bisedoj me të gjithë subjektet politike shqiptare për të mbajtur të gjallë zotimen në atë tryezë.

Presidenti Meta do të qëndrojë për vizitë 3 ditore në Shkup. Nesër do të takohet me kreun e shtetit Stevo Pendarovski si dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *