Pesë persona nga Gjakova të ndaluar për protestën e 8 janarit në një bar-kafe në afërsi të selisë së Partisë Demokratike kanë deklaruar para prokurorit Elio Mazreku se janë arrestuar gabimisht nga policia dhe që s’kanë pasur asnjë lidhje me dhunën e shfaqur para selisë blu.
Mësohet se shtetasi Qëndrim Dervishaj ka deklaruar në Prokurorinë e kryeqytetit se ka udhëtuar drejt aeroportit të Rinasit për të përcejllë nipin që do udhëtonte drejt Norvegjisë, duke mohuar faktin se ka marrë pjesë në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Berisha, pavarësisht pamjeve që e tregojnë duke hedhur sende të forta drejt selisë së PD-së.
Në dosje, Dervishaj pretendon se ka shkuar në zyrën e një avokati, në bulevardin “Gjergj Fishta”, më pas ka parkuar mjetin në një qendër tregtare shumë pranë selisë së PD-së dhe është ulur në një bar-kafe aty afër, ku dhe do të takohej me kushërinjtë Arben Dervishaj Valdrin Dervishaj dhe Orges Dervishaj. Mësohet se pasi është kthyer nga tualeti i barit, kamarieri i ka treguar se disa efektivë të policisë së shtetit kishin ardhur për t’i shoqëruar në komisariat.
Mësohet se ai është afruar me dëshirën e tij drejt furgonit të policisë dhe atje ka kërkuar arsyen e shoqërimit të tyre.
“Me dëshirën e tij është futur në mjetin policor dhe kërkon që t’i jepet arsye e saktë se përse mbahet i shoqëruar kur nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm sepse nuk i intereson kjo çështje partiake që zhvillohet në Shqipëri”, thuhet në dosjen e policisë.
Ndërsa në lidhje me shtetasin Arben Dervishaj, hetimi procesverbal është i cunguar, por ndaj tij po zhvillohen hetimet.
Në raportin e prokurorisë për të pestë këta persona të lartpërmendur nga Kosova, theksohet se ata kanë qenë pjesë e njerëzve që ndodheshin jashtë godinës së PD-së dhe kanë hedhur sende e objekte të forta drejt selisë së PD-së.
Raporti thekson se pasi turma e njerëzve është shpërndarë për shkak të ndërhyrjes së forcave policore ata kanë shkuar dhe janë ulur në një kafe-bar pranë selisë blu.
Mësohet se pasi ata janë ulur, forcat policore janë afruar dhe i kanë shoqëruar në komisariatin e policisë nr.1, Tiranë.
Masat e sigurisë për 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit pritet të jepen nesër në orën 10:00.
Nuk është vendosur ende se cili do të jetë gjyqtari, ndërsa pritet të jetë Arbën Micko, pasi gjyqtarja që i ra shorti, Rexhina Merlika është me raport mjekësor.
Nga 34 të arrestuar, prokuroria kërkon për 29 persona masën “Detyrim paraqitje”.
Ndërsa për 5 persona “Arrest shtëpie”. Mes personave të arrestuar ka edhe qytetarë nga Kosova.
Sipas akuzave që janë ngritur, rezulton se 11 nga të arrestuarit janë mbështetës të Bashës dhe 23 të tjerë të Berishës.
Të shtunën, selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë nga mbështetës të Sali Berishës që iu përgjigjën thirrjes së tij për të protestuar për largimin e kreut Lulzim Basha.
Protestuesit tentuan të hapin me forcë dyert e blinduara dhe thyen xhamat. Menjëherë ndërhyri policia për të shpërndarë turmën, ku u përdor edhe gaz lotsjellës.
/Burimi: Top Channel/