Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta, lidhur me situatën brenda partisë, për të cilën është shprehur se: “kryedemokrati, Lulzim Basha, është përgjegjës për humbjet e opozitës dhe se drejtimi i PD-së nuk mund të mbahet me polici”, duke iu referuar protestës së 8 janarit.
Por për kryedemoktarin Basha, koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta, ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.
“Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë”,- thuhet në deklaratën e PD-së.
Në reagim thuhet se, ndërhyrja e Metës është njësoj si e Ramës dhe tregon se, të dy së bashku me Berishën i bashkon një hall që nuk ka lidhje me PD apo qytetarët shqiptarë.
Reagimi:
“Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane”.
Ditën e djeshme, në një intervistë për mediat maqedonase, kreu i shtetit bëri me faj Lulzim Bashën, për pikën ku ka arritur sot partia më e madhe e opozitës.
Sipas Metës, Basha si kryetar është kundërshtuar nga demokratët dhe për këtë arsye ai duhet t’i hapë rrugë votëbesimit.
Meta: “Asnjë demokrat nuk i meritonte ngjarjet e 8 janarit. Kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij. Për fat të keq, prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm.
‘Udhëheqja e opozitës’ po provokon një tension dhe pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka. Sepse në demokraci autoriteti fitohet me votë. Konfirmohet me votë. Nuk fitohet me polici. Fitohet me procedura. Çdo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike. Zgjidhja është vota”.
/Priza.al/