Një valë e motit të keq me emrin “Diomidis” ka goditur Greqinë, duke shkaktuar probleme të mëdha kryesisht në zonat e Thesalisë, Maqedonisë qendrore dhe në Greqinë kontinentale.
Në pjesën qendrore të vendit, lumenjtë kanë dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të shumta, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive dhe të të mbjellave, dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona.
Ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike ka pasur në Elassona, zona të Larisës, Tempit, si dhe në Volos. Gjithashtu edhe një pjesë e madhe e zonës turistike të Halkidhikisë ne lindje të Selanikut.
Edhe ishulli i shumëvuajtur muajt e fundit nga zjarret dhe përmbytjet, Evia, nuk i ka shpëtuar fenomeneve të tejskajshme me të cilat shoqërohet vala e motit të keq, me probleme të shumta sidomos në qarkullimin e automjeteve në rrjetin rrugor tepër të dëmtuar.
Ndërkohe stuhi bore janë raportuar pranë Trikallas në Greqinë qendrore, ndërsa reshje bore ka pasur në lindje të Greqisë përgjatë lumit Evros, si dhe në zonat Amintios, Prespës e Follorinës, pranë kufijve shqiptarë.
Sipas informacioneve të fundit, rrugët nacionale mbeten të hapura, por shkollat do të jenë të mbyllura deri në fundjavë.
/Priza.al/