Zani Çaushi, një nga emrat më të njohur të botës së krimit, ka mbërritur sot në Gjykatën e Korçës. Seanca nisi në orën 14:30, dhe ajo përkon me kërkesën e tij për lirim me kusht. Kjo kërkesë u bë fillimisht nga avokati i tij një muaj më parë. Seanca e fundit e Çaushit u shty pasi avokati ka kërkuar kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërkohë që u shqyrtua nga gjyqtari Selaudin Pysqyli. Prokuror ishte Ervin Beqiri ndërsa u mbrojt nga i njëjti avokat, Arben Lena. Pas 45 minutave seancë, Gjykata e Korçës vendosi të lërë në burg Zani Çaushin, duke argumentuar se ‘i forti i Çoles’ nuk ka pasur sjellje shembullore, është dënuar dhe disa herë të tjera gjatë kohës së vuajtjes së dënimit dhe për këtë arsye ai nuk konsiderohet i rehabilituar. Me këtë argument gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës së tij.