Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Aeroportin e Rinasit. Gjatë kontrollit të valixhes, policia ka zbuluar se një 51-vjeçar që vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte futur një pistoletë tip “Glock” si edhe 125 fishekë.
Policia njofton se në pranga është vendosur shtetasi Renato Hajmeli
Ky është një ndër rastet e rralla ku një udhëtar mundet të hyj në bordin e një avioni me armë me vete. Për fat të mirë ai nuk ka patur qëllime të këqija duke e lënë pistoletën në valixhe.
Sipas policisë, valixhja e personit në fjalë është kontrolluar imtësisht pasi ka zbritur ku edhe i janë gjetur arma dhe fishekët. Nuk dihet ende se si ka mundur që ngjitet me armë zjarri në valixhe 51-vjeçari, detaj ky që mbetet për t’u sqaruar më pas.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për të futur armë zjarri në Shqipëri.
Arrestohet në flagrancë 51-vjeçari që udhëtoi drejt vendit tonë, me armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak me vete.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrolleve, si në hyrje dhe në dalje, më qëllim kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që mbajnë sende të kundërligjshme me vete, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm, valixhen e shtetasit R. H., i cili ishte nisur nga SHBA për në Shqipëri.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në valixhen e këtij shtetasi, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 125 fishekë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Armëmbatja pa leje”.
/Priza.al/