Gati për zgjedhjet e pjesshme vendore/ Nga Shkodra, Durrësi, Lushnja e Vora, cilat janë bashkitë pa kryetarë dhe arsyet…  

Presidenti Ilir Meta, njoftoi ditën e sotme se i është drejtuar përmes një shkresë zyrtare Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ku kërkon informacion në bashkitë që janë pa kryetar, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Ndonëse shprehu rezerva për vendimin e Kushtetueses, Meta tha se këto bashki nuk mund të mbeten pa kryetar, duke njoftuar kështu nisjen e procesit për zhvillimin e zgjedhjeve.

Por cilat janë bashkitë që prej 30 qershorit, që nuk e kanë një kryetar në krye të institucionit vendor?

Në Bashkinë e Shkodrës, ligji i dekriminalizimi i kushtoi postin Valdrin Pjetrit, i cili ndoqi rrugën gjyqësore, ku me vendim të gjykatës të Tiranës doli i pastër në përfundim të hetimeve. Aktualisht kjo bashki drejtohet nga Voltana Ademi.

Dekriminalizimi, la gjithashtu pa kryetar edhe bashkinë e Vorës. Agim Kajmaku i dalë në zgjedhjet e 30 qershorit, u akuzua për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Durrësi, një ndër qarqet e mëdha në vend, është pa titullar në krye të bashkisë. Kujtojmë se kryebashkiakja Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në Rrogozhinë, Haxhi Memolla u nda nga jeta si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa kandidimi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, la bashkinë e Dibrës pa kryetar. Dionis Ymeri garoi në listat e PS, për një mandat deputeti, ndonëse nuk arriti të sigurojë një karrige në parlament.

Sakaq arrestimi nën akuzën e korrupsionit e pabarazisë në tendera, i Fatos Tushes, ka lënë pa kryetar edhe Bashkinë e Lushnjës. Kujtojmë se Tushe u shkarkua me vendim të kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të tij.

/Priza.al/

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *