Vrasja mafioze e gazetarit grek, reagojnë krerët e BE-së

Vrasja mafioze e gazetarit grek të kronikës së zezë, George Karaivaz, ka sjellë reagime edhe nga krerët më të lartë të institucioneve europiane. Për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen liria e shtypit duhet të jetë më e shenjta nga të gjitha. “Evropa qëndron për liri. Dhe liria e shtypit është mbase më e shenjta nga të gjitha. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë të sigurt”, shkroi Ursula von der Leyen.

Nga ana tjetër, President i Parlamentit Evropian, David Sassoli, kërkon që hetimet të tregojnë nëse vrasja e Karaivaz ka lidhje me aktivitetin e tij si gazetar.

“I tronditur nga lajmi i vrasjes së gazetarit grek George Karaivaz. Hetimet duhet të sqarojnë urgjentisht nëse vrasja ka lidhje me punën e tij. Ngushëllimet tona më të ngrohta për familjen dhe miqtë e tij”, u shpreh Sassoli.

George Karaivaz Archives - Gazeta Mapo

Po kush është gazetari i vrarë?
Gazetari grek Giorgos Karaivaz, i cili u ekzekutua rreth orës 14.30 të ditës së sotme (me orën greke) në zonën Alimos. Ai ishte gazetar i televizionit STAR, ku mësohet se për herë të fundit ka dalë pikërisht nga ndërtesa e medias ku punonte. Ai ishte një ndër më të njohurit në Greqi për sa i përket gazetarisë së Kronikës ku është shquajtur për kronika, reportazhe dhe dosierë të shumtë për situatën kriminale dhe atë të korrupsionit në vendin fqinje.

Karaivaz ishte përveç se një reporter i njohur në disa media, edhe themelues dhe drejtues i faqes së lajmeve “bloko.gr”, një prej më të njohurave në Greqi. Në të spikatnin investigime të rëndësishme për një sërë problematikash që kryesisht lidhen me sistemin e drejtësisë, policinë dhe krimin vendas. Mediat greke njëzëri besojnë se ekzekutimi brutal i tij ka ardhur për shkak të punës së tij kundër mafies vendase!

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *