Goditet rasti i parë i krimit zgjedhor para 25 prillit/ Në pranga sekseri! Kishte mbledhur emrat e 27 qytetarëve, i gjenden në makinë 528 mijë lekë

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet, një grup i cili blinte votat është shkatërruar, teksa në pranga ka rënë një person, teksa është vënë në hetim drejtuesi politik i një partie.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se  45-vjeçari Vasil Shabani, në rolin e sekserit hartonte lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës. 45-vjeçari kishte siguruar të dhënat personale të 27 personave (emër, atësi, mbiemër) dhe numrat e ID të tyre, të cilët kishin ofruar votën e tyre në këmbim të parave.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e sekserit, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit. Ky  është rasti i parë i krimit zgjedhor në Pukë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Njoftimi i policisë
Hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës, vihet në pranga sekseri.

Procedohet penalisht drejtuesi i një subjekti politik.

Sekuestrohen një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore pecialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.

Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *