Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të ambientohesh me “normalitetin e ri” që pandemia ka krijuar. Nëse nuk keni energji dhe motivim për t’ia dalë gjatë ditës, duam t’ju sigurojmë që nuk jeni të vetmit.
Sa bukur do të ishte sikur të kishim një buton që të mund ta shtypnim kur të donim dhe ai të na furnizonte me energji, por kjo nuk është e mundur.
Ama do t’ju prezantojmë me disa truke dhe këshilla të vogla që mund t’i bëni pjesë të përditshmërisë tuaj në mënyrë që të gjeni motivimin e humbur.
1. Bëni pushim
Po, ju meritoni të pushoni, pavarësisht se sa e ngarkuar është dita juaj.
Nëse po përpiqeni të përfundoni një detyrë dhe thjesht nuk mundeni, sepse trupi juaj nuk ka mjaftueshëm energji, mos e detyroni veten me zor.
Niveli i ulët i energjisë është një sinjal që duhet të bëni pushim. Qoftë edhe 5 minuta do mund t’ju ndihmojnë.
2. Dilni jashtë
Duhet të dilni jashtë sa herë që ka diell. Edhe pse kjo nuk është gjithmonë e mundur kur punoni në zyrë, është e domosdoshme për nivelin tuaj të energjisë.
Ekspozimi ndaj një doze të caktuar dielli ul prodhimin e melatoninës (hormoni përgjegjës për gjumin) dhe rrit vigjilencën.
Përveç kësaj, ajri i pastër ju relakson dhe ju jep shtysën e duhur.
Nëse mendoni se nuk keni kohë të dilni jashtë, atëherë mund të konsumoni vaktet tuaja në natyrë.
3. Bëni dush
Nëse bëni dush në mëngjes do të shikoni se energjia dhe produktiviteti juaj do të rriten në mënyrë eksponenciale.
Madje uji ju zgjon më mirë sesa një kafe. Personalisht preferoj të lahem me ujë të ngrohtë dhe në fund, i dedikoj 1 minutë ujit të ftohtë.
Uji i ftohtë rrit vigjilencën dhe është provuar shkencërisht se ofron dhe benefite të tjera shëndetësore.
4. Fikni telefonin
Telefoni ofron benefite të shumta, por gjithashtu përbën një ndër shpërqëndrimet më të mëdha të kohës sonë.
Duhet të gjeni një balancë, pasi rrjetet sociale mund t’ju shpërqëndrojnë gjë që “vret” produktivitetin tuaj.
Kur ndjeni se nuk jeni produktiv, fikni telefonin ose lëreni në një dhomë tjetër.
Disa studime tregojnë se kur nuk e shikoni telefonin tuaj ju nuk jeni aq të tunduar për të kontrolluar rrjetet sociale dhe, si për rrjedhojë, mund të fokusoheni në punët e rëndësishme.
5. Jini aktiv
Nëse stresi po ju privon për të qenë produktiv, aktiviteti fizik që ka në fokus frymëmarrjen, si për shembull yoga, mund t’ju ndihmojë.
Nëse kuptoni se nuk jeni produktiv për shkak të lodhjes ose mërzisë, atëherë fokusoni energjinë tuaj në cardio.
Kjo do t’ju japi një zgjidhje momentale dhe pastaj duhet të flini herët në darkë.
/Priza.al/