Është i disati rast që Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shmanget nga takime të rëndësishme edhe evente që ndodhin në Shqipëri, edhe kur në vend vijnë homologë të tij.
Pas Angela Merkelit që bëri vizitën e saj të fundit në Ballkan dhe Shqipëri pas largimit nga detyra e kancelares, as presidenti serb Vuçiç dhe as Zv.ndihmëssekretari Amerikan për çështjet e Ballkanit, Gabriel Escobar, nuk e kanë takuar Presidentin Meta.
Por duket se “kapakun” ja vuri vizita e sotme e Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili prej disa orësh ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit Edi Rama, por edhe pse vizita ka qenë e ngjeshur dhe me shumë aktivitete, nga axhenda ka qenë i përjashtuar vetëm takimi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta.
Erdogan sapo zhvilloi edhe një vizitë në Parlamentin shqiptar, por vetëm me Presidentin Ilir Meta, nuk u takua, edhe pse ky i fundit vijon të jetë ende në detyrë në bazë të ligjit dhe mandatit.
Mos vallë bojkoti për Presidentin shqiptar Meta, ka nisur nga shumë zyrtarë të huaj? Apo ka qenë vetë Meta që e ka shmangur këtë takim për shkak se Erdogan është deklaruar hapur si mik i kryeministrit Rama…
Por sot paradite ndërkohë që në Laç po zhvillohej ceremonia me të pranishëm presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrin Edi Rama, disa kilometra më tutje ndodhej Presidenti shqiptar, Ilir Meta.
Ai kreu homazhe te memoriali i Skënderbeut në Lezhë në 554-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar që për 25 vite u bëri qëndresën më të fuqishme të armatosur turqve osmanë.
“Skënderbeu është jo vetëm Heroi ynë Kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, por edhe njëkohësisht është ky personalitet i jashtëzakonshëm, edhe një hero i qytetërimit evropian, i cili përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të kombit tonë, dhe rrugën dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë”,- tha Meta.
Edhe më herët, Meta reagoi me një postim online në këtë përvjetor. Ai publikoi edhe një video nga momentet kur Skënderbeu lufton me turqit.
/Priza.al/