Informaliteti i pagave është një çështje historike, që në përmasa akoma më të mëdha mori nga zanafilla e vitit 2012, me heqjen e pagës së referencës sipas VKM me nr. 393, e cila shfuqizonte vendimin me nr. 285, të muajit maj 2007, “Për referencat te pagat në privat”, në bazë të të cilave llogariteshin detyrimet tatimore dhe kontributet, pavarësisht pagës reale të pagueshme.
Në shpenzime të njohura, përfshiheshin pagat e deklaruara dhe jo ato të shpenzuara për personelin. Një zgjidhje kjo e dhënë natyrshëm, duke u bërë fakt në mungese të detajimit të aktit ligjor për zbatimin e tij, konkretisht për sa i përket mënyrës së deklarimit dhe mënyrës se kontabilizimit dhe njohjes ose jo si shpenzim të pagave referencë të deklaruara për efekt të kontributeve. Heqja e pagës së referencës në keto kohë, është mbështetur madje edhe këshilluar nga Banka Botërore.
Por kjo situatë, në një terren ku informaliteti ka qënë fenomen i pranishëm në nivele të konsiderueshme, shtoi lirinë e veprimit privat, duke e keqmenaxhuar këtë mundësi, duke thelluar abuzimin dhe sitemin e dyfishtë të pagave dhe si rrjedhojë duke sjellë zgjerimin e shtreses së pambrojtur.
Fakti që fushatat e luftës së informalitetit të pagave ndër vite nuk kanë mundur të krijojnë frymën e formalizimit, tregon se nuk egziston aftësia institucionale e institucionit tatimor, apo Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, për të formalizuar sektorin e pagave për shumë arsye, qofshin keto edhe për kapacitetin e burimeve njerëzore të kufizuar, apo korrupsioni.
Në kushtet e të bërit biznes sot, ku informaliteti ecën me ritme më të shpejta se formalizimi, kërkohet nje maturi e lëvizjes për formalizim duke mos rriskuar mbarëvajtjen e aktivitetit të biznesit dhe duke marrë parasysh edhe kushtet e vështira në të cilat biznesi po jeton për efekt të krizës ndërkombëtare dhe kombëtare ekonomike, dhe mbi të gjitha pa neglizhuar faktin që sektori i punësimit masiv është më i prekuri. Sektor i cili po përballet edhe me fenomenin e rritjes së pagave të detyruara si kërkesë e tregut, dhe që vjen si pasojë edhe e rritjes se çmimit të produkteve të shportës, duke rritur edhe koston e jetesës. Por jo vetëm rritje e pagave, por edhe pandemia ka krijuar një lëvizje të pakontrolluar të fuqisë punëtore në nivel ndërkombëtar.
Kështu që rritjes së pagave, rritjes së çmimit të energjisë, rritjes së kostove të transportit, largimit të fuqisë punëtore, i bashkëlidhet edhe kosto e formalizimit për sektorin privat.
Patjetër që është një detyrim ligjor, një parim i të bërit biznes dhe një koncept i mbrojtjes së të drejtës së punëtorisë, por që kërkon mekanizma lehtësuese dhe politika që krijojnë efekte psikologjike drejt formalizimit dhe përmbushjes vullnetare në përgjithësi.
Efekti psikologjik dhe politikat që e nidhmojnë dhe e nxisin atë, janë shumë më efektive se gjoba dhe penalitete, thënë kjo edhe pas shumë kohe lufte pa rezultate ndaj informalitetit.
Hapa të suksesit aktualisht drejt formalizimit janë:
Reforma në drejtësi për ata që e kuptojnë dhe e ndjekin, po jep efektet e veta psikologjike drejt formalizimit. Rastet e prekura nga reforma në drejtësi, duhet të kthehen në objektiv i fushatave sensibilizuese dhe parandaluese për sektorin privat.
Fiskalizimi edukon. Edukimi i sektorit privat gjithashtu është pritshmëri për zbatim të përmbushjes vullnetare duke formalizuar dhe duke rregulluar performancën e biznesit.
Ndërkohë që, masa urgjente për formalizim mund të konsiderohen:
Marredhenia në distancë administratë – biznes. Marredhenia me biznesin duhet të jetë në menyrë kategorike vetëm nëpermjet kontrollit nga zyra dhe jo fizike. Komunikim nëpërmjet rrugëve elektronike të çertifikuara, nëpërmjet sistemit c@ats duke ngarkuar çdo komunikim në postën e tatimpaguesit në këtë sistem për çdo sqarim, pyetje, shkresë, raport, akt etj.
Çdo raport apo dokument që lidhet me kontrollin, duhet të jetë i dokumentuar dhe i ngarkuar në sistemin c@ts. Kontrolli duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo periodik. Mundësia e plotësimit të kontrollit të vazhdueshëm krijohet nga trasnformimi i të gjithë strukturave të terrenit në kontroll nga zyra.
Të krijohet indikatori i përmirësimit të performancës tek tatimpaguesi. Duke raportuar edhe ne sistem me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm edhe të sistemit të menaxhimit të rriskut në organin tatimor. Sepse kemi të bejmë me një sistem rrisku pa feedback. Dhe në këtë mënyrë nuk mund të gjenerohen lista efektive për lloje të ndryshme kontrolli.
Institucioni tatimor, të zbatojë me rigorozitet përmbushjen e vet në marrëdhenie me tatimpaguesin. Rimbursimi i TVSH-së, vazhdon të jetë një ngërç i marrëdhënies shtet-privat, çka nxit mendimin e parregullsisë institucionale, mendimin e të vepruarit nëpërmjet korrupsionit dhe patjetër të mundësisë së zgjerimit të informalitetit.
Është vetë institucioni që me mirëfunksionimin e tij duhet të edukojë sektorin privat me qëllim përmbushjen vullnetare.
Si dhe reformat administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke u përballur me një rritje të informalitetit, tregojnë se nuk kanë funksionuar në mënyre efektive. Prandaj kërkohet një konsolidim paraprak i të gjithë situatës së biznesit, dhe mangësitë e secilës strukturë të kaluar, për të cilën tashme eksperienca është mjaft e madhe nga vetë ndryshimet e shpeshta të kësaj strukture.
Por që edhe kjo reformë, të ketë në fokus tatimin dhe jo terrenin apo borxhin. Vetëm në këtë mënyre do të mund të specializohet në një linjë të caktuar çdo nënpunës dhe do të prodhoje rezultate të matshme.
Pra në efekt përfundimtar, kosto e korrupsionit të sektorit privat, të kthehet në kosto legjitime të formalizimit të tij. Dhe kjo kërkon një sërë masash që lihden jo vetëm me biznesin por edhe me politikat fiskale, adminsitratën tatimore dhe operatorët e ndërmjetëm në përgjithësi (përfaqeësitë e biznesit, avokati i tatimpaguesit etj.)
/Burimi: Apel/