Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha se Londra po furnizon Ukrainën me sisteme të reja të sigurisë ushtarake e kibernetike, për ta ndihmuar që të rrisë kapacitetet mbrojtëse, teksa po përballet me kërcënimin e Rusisë.
“Ne kemi marrë vendimin që ta furnizojmë Ukrainën me sisteme të lehta të armëve mbrojtëse anti-blind”, tha Wallace para parlamentit britanik.
Ai shtoi se ka ftuar homologun e tij rus që në javët në vijim të vizitojë Londrën për të diskutuar lidhur me krizën me Ukrainën.
“Këto nuk janë armë strategjike dhe nuk paraqesin kërcënim për Rusinë. Ato përdoren për vetëmbrojtje”, tha ai.
Kievi dhe Perëndimi janë të shqetësuar pas grumbullimit të mijëra trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën. Perëndimi ka thënë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Por, Moska thotë se nuk ka plane për ta sulmuar Ukrainën.
Javën e kaluar, shtetet perëndimore dhe NATO u takuan me zyrtarët rusë dhe biseduan për çështjen e grumbullimit të trupave ruse. Por, këto bisedime nuk nxorën ndonjë rezultat konkret.
/Priza.al/