Merrte makina me qira dhe i kthente në pjesë këmbimi/ Arrestohet 30-vjeçari, i gjenden edhe armë të përdorura në ngjarje kriminale

Policia e Beratit ka konkluduar me sukses operacionin e koduarOsumi”, duke bërë të mundur arrestimin e një 30-vjeçari i shpallur në kërkim për mashtrimin e kompanive të makinave me qira.

Burime bëjnë me dije se në pranga është vendosur shtetasi Endri Koraqe. Sipas policisë, ai merrte makina me qira, dhe i kthente ato në pjesë këmbimi ose i braktiste në rrugë. Kjo ka bërë që policia të vijojë hetimet për të zbardhur veprimtarinë e plotë të tij, dhe përfshirjen e mundshme në ngjarje të tjera kriminale.

Nga kontrollet e ushtruara në banesën e tij, në afërsi të shtëpisë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, ku nga hetimet rezultoi në pronësi të 30-vjeçarit. Gjithashtu, në vijim të kontrollit të territorit, në lagjen “Çlirim” në Kuçovë, policia gjeti të fshehur një armë kallashnikov dhe municion luftarak.

Vijojnë hetimet për identifikimin e poseduesit të kësaj arme, teksa dyshohet se janë përdorur për ngjarje të tjera kriminale.

Njoftimi i policisë:

DVP Berat/Vijon kontrolli i territorit, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje apo me lëndë narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Osumi”.

I shpallur në kërkim për mashtrim, nga 4 Drejtori Vendore të Policisë, kapet dhe ndalohet 30-vjeçari, i cili posedonte dhe një armë zjarri pistoletë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, gjetën të fshehur edhe një armë zjarri kallashnikov. Punohet për identifikimin dhe kapjen e poseduesit të saj.

Të dy armët e zjarrit të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura mëparë.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në territor, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë, pas informacioneve për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i cili posedonte dhe armë zjarri, u organizua dhe finalizua operacioni “Osumi”, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Operacionale të DVP Berat dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit:

  1. K., 30 vjeç, banues në lagjen “11 Shkurti”, Kuçovë, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kuçovë, Komisariati i Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë dhe DVP Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas merrte makina me qira dhe nuk i dorëzonte më, pasi i kthente në pjesë këmbimi ose i braktiste në rrugë.

Nga kontrolli i ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në afërsi të banesës së këtij shtetasi, në Kuçovë, një armë zjarri pistoletë, e cila gjatë hetimeve të para hetimore rezultoi se i përkiste 30-vjeçarit.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen “Çlirim”, gjetën të fshehur një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e poseduesit të kallashnikovit.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *