Ora policore pritet të ndryshojë. Sinjalin e ka dhënë kryeministri i vendit, Edi Rama në një nga takimet e tij elektorale. Nuk bëhet me dije nëse ka qenë vendim i tij apo kërkesë e qytetarëve, pasi me 13 prill hyhet në muajin e shenjtë të Ramazanit. Por Rama në një mesazh ka lënë të kuptohet se do t`i kërkojë Komitetit Teknik të Ekspertëve që këto dy ditë të shihet mundësia e shtyrjes me dy orë.
Referuar të dhënave që vijnë nga kryeministria bëhet me dije se Rama ka pranuar këtë fakt për shkak të orareve në lëvizje të ditëve të këtij muaji të shenjtë për besimtarët e fesë islame. Shefi i qeverisë ka lënë të kuptohet se do të shihet edhe kurba e lëvizjes së të infektuarve të ditëve të fundit, ndërkohë që para 3 ditësh komiteti vendosi të mos ndryshonte asgjë nga masat e para. Por si duket përfaqësuesit e Komitetit nuk kanë qenë në dijeni të nisjes së Ramazanit dhe dëshirës së mijëra besimtarëve për të agjëruar.