Edhe pse qeveria investoi 24 mln euro me Partneritet-Publik-Privat për ndërtimin e një inceneratori për përpunimin e mbetjeve në Elbasan, ky qark pati nder sasitë më të larta të mbetjeve të pamenaxhuara në vitin 2020.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, prefektura e Elbasanit gjeneroi mbi 92 mijë tonë mbetje gjatë vitit 2020, teksa 23,3 për qind e tyre nuk e menaxhuan, duke e renditur në tre qarqet me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara.
Të dhënat të tjera më të hollësishme tregojnë se, gjatë vitit 2020 inceneratori i Elbasanit përpunoi vetëm 11 për qind të mbetjeve të gjeneruara në këtë qark (10 mijë tonë). Më tej 55 % e mbetjeve në qarkun e Elbasanit janë depozituar në landfille dhe 14 % u ricikluan.
Kapaciteti i impiantit është rreth 120 ton mbetje/ditë. Pranë impiantit duhet të depozitoheshin mbetje nga Bashkitë Elbasan, Cerrik, Librazhd, Belsh dhe operatorë të ndryshëm privatë.
Në vitin 2020 sasia e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë në Shqipëri ishte 369,2 kg. Qarku me sasinë më të lartë të mbetjeve të menaxhuara për frymë ishte qarku i Gjirokastrës me 728,7 kg, e ndjekur nga Fieri me 479,5 dhe Tirana me 429,0 kg. Nga ana tjetër, qarku me sasinë më të ulët të mbetjeve të menaxhuara për frymë ishte Korça me 237,0 kg, e ndjekur nga Shkodra me 236,1 kg dhe Dibra me 230,5 kg.
Mbetjet e menaxhuara trajtohen kryesisht duke depozituar mbetjet në landfille dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të qeverisjes vendore.
Në vitin 2020, struktura e trajtimit të mbetjeve ishte: 80.2% të depozituara në landfille, 18.1% të ricikluara, 0.5% hedhje në mënyre jo të rregullt në natyre, 1.1% të djegur në inceneratorë dhe 0.1% të djegur për eliminim.
SPAK (Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë) ka hetuar procedurat për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit, për të cilin ka gjetur shkelje të ndryshme penale, duke filluar nga procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit deri te faturat tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri.
Nga hetimi ka rezultuar se Shtetasi L.K., në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, shuma e faturuar është rreth 3.7 milionë euro.