Nis shembja e banesave tek “5 Maji”/ Policia nxjerr me forcë banorët jashtë shtëpive, disa shoqërohen në rajon

Disa banesa pritet të shemben mëngjesin e sotëm në zonën e “5 Majit”, ku forca të shumta policie kanë rrethuar zonën por që pronarët e banesave ende nuk kanë rënë dakord dhe e kundërshtojnë këtë akt.

Policia nuk lejon as futjen e mediave në zonë, por “Priza.al” ka siguruar pamje nga vendngjarja ku duken forca të shumta policore që kanë bllokuar rrugën dhe nuk lejojnë kalimin. Nga ana tjetër janë edhe banorët të cilët protestojnë dhe kundërshtojnë këtë akt, pasi policia ka hyrë në banesa duke i nxjerrë me forcë banorët, përfshirë këtu edhe fëmijë.

Ndërkohë që kanë nisur shoqërimet e para në radhët e banorëve, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi dhe prej gati 3 muajsh kanë zhvilluar protesta pasi sipas tyre nuk kanë arritur një marrëveshje me bashkinë. Edhe pse shembja e banesave ishte parashikuar që të niste rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, puna në terren ka nisur shumë më herët se orari zyrtar. Ndërhyrja është bërë që në orën 03:00 të mëngjesit, duke fikur fillimisht energjinë elektrike.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës vendosi si afat të fundit ditën e sotme për banorët e “5 majit” që të braktisin banesat e tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët kanë paditur drejtorin e IMT-të Tiranë dhe kanë premtuar se do t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. Ata këmbëngulin se projekti i Unazës së Madhe është ndryshuar dhe nuk është bërë publik. Qytetarët kanë kërkuar bisedime me qeverinë dhe bashkinë dhe të kompensohen sipas çmimit të tregut për prishjen e banesave të tyre.

Gjatë ditës së sotme është parashikuar shembja e 3 banesave, dhe më pas procesi do të vijojë edhe me godina të tjera në ditët në vijim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *