Shefat e mbrojtjes në Britaninë e Madhe druhen se presidenti rus, Vladimir Putin, do të përzgjedhë skenarin më të frikshëm, atë të pushtimit të plotë të Ukrainës.
Sipas “Daily Mail”, ky njihet si “skenari i makthit” dhe mund të vihet në zbatim nga momenti në moment.
Shtëpia e Bardhë paralajmëroi dje se, situata është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe se Moska, mund të ndërmarrë sulmin në çdo moment.
Deri tani mendohej se Putin do të dërgonte trupa vetëm në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës, duke kërkuar krijimin e një shteti të pavarur, që do të shërbejë si zonë sigurie mes Rusisë dhe Ukrainës perëndimore.
Por tani burimet e inteligjencës britanike druhen se, bëhet fjalë për një inkursion në shkallë shumë më të madhe. Ekziston frika se qytetet e mëdha do përfshihen në luftime dhe numri i vdekjeve mes civilëve do jetë shumë i lartë.
Ndërkohë në Kiev të Ukrainës ka mbërritur Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në përpjekje për të ulur tensionet në rajon.
Rusia ka dërguar mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën, që në fundin e vitit të kaluar.
Ukraina nga ana e saj ka paralajmëruar se Rusia thuajse ka përfunduar grumbullimin e forcave të saj që mund të përdoren për një ofensivë kundër vendit, duke marrë parasysh frikën se, Moska mund të nisë një pushtim në çdo kohë, njofton rrjeti amerikan CNN.
Sipas vlerësimit të fundit të inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Rusia tani ka vendosur më shumë se 127,000 trupa në rajon. Sipas këtij vlerësimi, bëhet fjalë për një situatë “të vështirë” dhe se, Ukraina beson se, “Rusia po përpiqet të ndajë dhe dobësojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.
Veprimet e Rusisë synojnë gjithashtu kufizimin e aftësive të Shteteve të Bashkuara, thuhet në vlerësimin e inteligjencës së Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, për të garantuar sigurinë në kontinentin evropian.
Vlerësimi vjen pasi tre raunde bisedimesh diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit që synonin shtensionimin e situatës, nuk arritën të jepnin një zgjidhje javën e kaluar.
Në fund të dhjetorit dhe në janar, Rusia ka zhvendosur stoqet e municioneve, spitalet fushore në terren dhe shërbimet e sigurisë në kufi, që sipas Ukrainës konfirmon përgatitjen për operacione sulmuese.
Në vlerësimin e lartpërmendur thuhet gjithashtu se, Rusia mbështet më shumë se 35.000 rebelë në Ukrainën lindore dhe ka rreth 3000 nga personeli i saj ushtarak, i vendosur në territorin rebel.
Moska mohon të ketë ndonjë forcë në Ukrainën lindore. Aktiviteti i inteligjencës ruse kundër Ukrainës është intensifikuar gjithashtu, thuhet në dokument.
Ushtria ukrainase tha gjithashtu se Rusia mund të përdorë armë raketore me rreze të mesme veprimi për të shkatërruar objekte thelbësore, duke vënë në dukje se grupe taktike shtesë të raketave operative-taktike “Iskander” janë transferuar në kufi.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/