“Nga modernizimi i bazës së NATO-s tek ‘Defender 21’”/ Rama zbulon objektivin për Forcat e Armatosura

Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e mbajtur me rastin e nisjes së procesit të modernizimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Rama ka bërë të njohur dhe objektivin e tij për krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike jo vetëm për Shqipërinë, por si vlerë e shtuar për NATO-n. Rama tha se sot ne po shohim të realizuar një projekt i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd.

“Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë aleancë e cila bashkon së bashku edhe vende që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet.

Natyrisht që për ne lajmi i kësaj vendimmarrjeje të NATO-s ishte një lajm shumë i mirëseardhur sepse si të thuash jo vetëm krijonte një vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik, por edhe ushtarak. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe për volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët e cila është realisht një punë që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA-të në një nivel krejt tjetër dhe falë mbështetjes që ne po gjejmë vijimësisht nga SHBA-të dhe strukturat e mbrojtjes së SHBA-ve ne po vetëdijësohemi përditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë të forcave tona ushtarake ashtu siç duhet ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera.

Sot ne po shohim të realizuar një projekt i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Më kujtohet fare mirë sa shumë është përqeshur është ai lajm dhe sa shumë komente mosbesuese janë bërë kur 3 vjet më parë lajmi u bë publik dhe sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione sipas të cilave ky moment sot nuk do të vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do të ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore ku do të zbatohen 5 projekte të ndara në paketa të rëndësishme dhe do të impaktohet në mënyrë afatgjatë dhe ekonomia dhe në aspektin social po ashtu zona e Kuçovës do të ketë një përfitim si të ardhur nga qielli në këtë rast”, deklaroi Rama.

Ai theksoi më tej rolin e stërvitjes “Defender 21” dhe rritjen e buxhetit për mbrojtjen.

“Dua ta mbyll aty ku shefi i shtabit nënvizoi një element që në këndvështrimin tim është fillesa e një filli që i lidh të gjitha këto bashkë, stërvitjen më të madhe ushtarake të NATO-s në gjithë këtë pjesë të botës Defender 21 për të cilën kemi marrë vlerësime të rëndësishme, por nga e cila kemi mësuar gjëra të rëndësishme për tu përmirësuar. Ndërkohë që jemi në një pozicion të favorshëm për ta rikthyer në 2023. Besoj që ky element flet shumë, pro për ne është shumë i rëndësishëm në të dy anët sepse kemi shumë për të marrë akoma nga e ardhmja, në kuptimin e zhvillimit, në kuptimi ne forcimit të pozicionit tonë, në kuptimin e pasjes së një peshe dhe rëndësie specifike në kuadrin e NATO-s, por na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët të vetëdijshëm që nuk do të jemi kurrë sepse asnjëherë nuk do të bëhemi dot aq të zhvilluar dhe aq cilësisht të padiskutueshëm sa FA-të e SHBA-ve, pro ama duke qenë në një shoqëri kaq të mirë në këtë drejtim do mund të përmirësohemi dhe të kemi një forcë të armatosur e cila nga pesha e numrave do të mbetet modeste, por për nga cilësia jam i bindur mund të bëhet një model i shkëlqyer dhe një shembull kuptimplotë dhe për vende të tjera të vogla, ose pak më të mëdha se vendi ynë dhe mund të luajë rolin e vet duke shfrytëzuar teknologjinë, inovacionin. Jemi në kushtet kur në kontekstin e përgjithshëm të NATO-s kemi pranuar një detyrim të përbashkët për rritjen konstante të buxhetit të mbrojtjes dhe për ne do të thotë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur cilësisht burimet tona njerëzore, duke rritur stimulin financiar të tyre. Këtë vit kemi bërë rritjen më të madhe ndonjëherë të pagave të FA-ve.

Nga ana tjetër me financimet në rritje, kemi mundësi të rrisim cilësisht logjistikën dhe kapacitetet teknologjike të FA-ve tonë dhe në funksion të shoqërisë. Sot është një ditë e bukur, një moment pozitiv që përçon një energji pozitive jo vetëm tek FA-të tona, tek kolektivi i vendeve të NATO-s, të cilët dua t’i falënderoj ashtu sikundër besoj e meritojnë një falënderim të veçantë edhe deputetët këtu të pranishëm duke filluar nga nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, nga kryetari i Komisionit të Sigurisë që është dhe deputet i zonës”, u shpreh Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *