Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se prezenca e NATO-s është një provë e fortë se Shqipëria është aleat i rëndësishëm në të cilin NATO beson e verëson rolin kyc që ka vendi ynë në rajon, ndërsa shtoi se ky investim forcon orientimin tonë perëndimor.
Ndërkaq Ministri ka publikuar në rrjetet sociale imazhet e anijeve amerikane të cilat së bashku me anijet e rojes bregdetare shqiptare ndërmorën operacione manovrimi në detin Adriatik javën e kaluar.
“Në frymën e bashkëpunimit të ngushtë midis SHBA-ve dhe Shqipërisë dhe si aleatë të NATO-s, shkatërruesit me raketa të drejtuara të klasit Arleigh Burke, USS Gravely dhe USS Bainbridge së bashku me anijet e rojes bregdetare shqiptare Lissus (P 133) dhe Oriku (P 132) ndërmorën operacione manovrimi në detin Adriatik javën e kaluar.
USS Gravely dhe Bainbridge janë dislokuar me grupin Harry S. Truman Carrier Strike sipas një levizjeje të planifikuar në zonën e operacioneve të Flotës së Gjashtë të SHBA-ve në mbështetje të operacioneve detare për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë detare si edhe për të mbrojtur interesat e SHBA-ve, aleatëve dhe partnerëve të saj në Evropë dhe Afrikë”, shkruan Peleshi.
/Priza.al/