Në janar të vitit 1993, Audrey Hepburn u nda nga jeta. Ylli i madh hollivudian (fituese e çmimit “Oscar”) talenti i të cilës u errësua nga eleganca kishte pushtuar zemrën e të gjithëve: mbi të gjitha për fustanin e zi te “Mëngjes te Tiffany” sesa për interpretimet e saj.
Përgjithmonë ikona e stilit
E adhuruar si ikonë e stilit, për elegancën dhe shijet e saj që shkonin përtej fenomeneve dhe tendencave të modës, por e nënvlerësuar si aktore. Kështu tani në përvjetorin e 29 të vdekjes së saj (vdiq në 20 janar të vitit 1993) në Zvicër në moshën 63-vjeçare, gjithçka përqendrohet te stili i saj, te veshjet e saj skenike që bënë histori.
Pothuajse i lënë në harresë fakti se ka fituar një çmim “Oscar” për interpretimin e saj te “Pushime romane”, tre “Golden Globe”, një “Emmy”, një “Grammy Award”. Këto janë vetëm disa prej çmimeve të saj më prestigjioze. Për më tepër që u cilësua si aktorja e tretë më e madhe e të gjitha kohërave nga “American Film Institute”.
Një fat i çuditshëm, për një divë që ende sot gëzon një adhurim të madh te publiku. Por nuk mund të bësh asgjë: fustani i zi pas trupit “Ginevchy” dhe syzet e errëta të zeza te “Mëngjes te Tiffany”, veshjet klasike, rruazat çantat, lënë në hije në mënyrë të vazhdueshme talentin e saj krijues. Nga ana tjetër, kjo është diçka më shumë se natyrale: askush nuk ka ditur t’i kombinojë si ajo bizhuteritë apo çantat.
Gjithçka që vishte i dukej bukur. Ndoshta edhe për shkak të fizikut të saj të dobët. Ndaj stili i saj i veçantë nuk ka për të vdekur kurrë, e do të kujtohet sa herë do të kujtohen përvjetorët e lindjes apo vdekjes së saj. Por asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur nëse Hepburn, nuk do të imponohej me forcë si aktore hollivudiane, duke bërë për vete regjisorët më të mëdhenj të kohës.
E lindur në Bruksel në 4 maj të vitit 1929 Audrey e kaloi fëmijërinë në Holandë. Studioi për balet, që fëmijë edhe në Londër ku u transferua me të ëmën pas ndarjes së prindërve. Pastaj emigroi në Amerikë, e shtyrë nga pasioni për teatrin dhe kinemanë.
William Wyler e zgjodhi si partnere të Gregory Peck në “Pushime romane”, me të cilat fitoi direkt çmimin “Oscar”. Më pas Billy Wilder e donte përkrah dy aktorëve të mëdhenj si Humphrey Bogart e William Holden te “Sabrina”.
Pastaj interpretimet e saj të njëpasnjëshme, ku më i rëndësishmi ishte “Mëngjes te Tiffany” Blake Edwards me subjekt të marrë nga romani Truman Capote. Një film që kristalizoi përgjithmonë imazhin e divës, që identifikohej në personazhin që interpreton.
Elegante dhe tërheqëse edhe në jetën private Hepburn u dha të gjitha grave recetën e saj për të shkëlqye:. “Për të pasur sy të bukur, mjafton të shohësh sikur po të tërheq një gjë shumë e bukur; për buzë të mrekullueshme mjafton të thoni vetëm gjëra të shkëlqyera, për qëndrim perfekt, mjafton të ecni sikur nuk ndiheni kurrë vetëm”.
Sipas saj asgjë nuk duhej t’i lihej rastësisë dhe çdo femër duhej të kujdesej deri në detaj për gjithçka në jetën e saj. Në vitin 1969 erdhi martesa e saj e dytë me psikologun italian, Andrea Dotti, me të cilin ka një djalë Luca.
Çifti u divorcua në vitin 1982. Pas kësaj prioritetet e saj ndryshuan. Vendosi të merrej me familjen dhe me aktivitete të tjera bamirësie.
Gjithë këto e çuan që të bëhej ambasadore e UNICEF dhe të merrte çmime shumë prestigjioze për angazhimin e saj. Aktivitete të ndryshme, për të mos ndenjur e burgosur në mitin e krijuar për të. Ndoshta ishte pikërisht kjo ajo që Audrey donte të na linte: jo vetëm fustanin e saj të zi dhe bizhuteritë e kombinuara bukur, por imazhin e një gruaje me zemër të madhe.
/Priza.al/