Në muajin dhjetor 2021, rritja mesatare e çmimeve ishte 3.8% sipas matjeve që u zhvilluan me metodologjinë e Eurostat. Nga metodologjia kombëtare inflacioni i dhjetorit ishte 3.7%.
Të dhënat krahasuese me vendet e Bashkimit Europian tregojnë se, inflacioni i dhjetorit në Shqipëri ishte poshtë mesatares europiane prej, 5.3%. Në Europë, rritja më e madhe ishte në Estoni me 12%, ndërsa më e ulëta në Zvicër me 1%.
Në Shqipëri, rritja më e madhe e çmimeve prej 6,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 4,9%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,7%, “Komunikimi” me 3,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me 1,0% secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,5%.
Në muajin Dhjetor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,8%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë”, “Transporti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2% secili, “Shëndeti” dhe “Hotele kafene dhe restorante” me 0,1% secili.
Rritja mesatare vjetore e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2021 është 2,3 %.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.