Reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar kaos në rrugët e Shqipërisë. ‘Priza.al’ ka arritur të sigurojë imazhet e disa mjeteve të cilat kanë rrëshkitur në rrugën e Arbrit. Ashtu sikurse shihet nga fotot një kamion dhe një makinë tip ‘Range Rover’ kanë ngecur në dëborë.
Për momentin është e kalueshme vetëm rruga e vjetër e Milotit, njofton shefi i sektorit të policisë rrugore, Angjel Zefi.
“Segmenti rrugor i rrugës së Arbrit nga Ura e Klosot deri në Qafë Murriz për momentin është bërë i pakalueshëm dhe është bërë devijimi i trafikut nga rruga e vjetër e Milotit.
Është bashkëpunuar me të gjitha firmat kontraktore, akset rrugore në Dibër janë të kalueshme me përjashtim vetëm segmentin rrugore në Qafë të Murrizit. Janë marrë masa për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.”
Ndërkaq aksi Pogradec-Korçë është mbuluar nga dëbora, e për pasojë lëvizja në këtë rrugë është e vështirë. Reshjet me intensitet më të lartë janë në Qafë Thanë e Pogradec si edhe Dardhë. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
Moti i keq me stuhi, reshje të dendura shiu dhe dëbore kanë sjellë problemet e para në të gjitha Qarqet e vendit, ku situata më e rënduar paraqitet në Dibër dhe Kukës. Të dy këto qarqe janë zgjuar sot të mbuluara nga dëbora dhe ngricat, që kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Problematika të vogla janë shënuar edhe në Qafë Thanë për momentin.Ndërkohë mësohet se policia ka mbërritur në Qafë Plloçë për të ndihmuar në qarkullimin e mjeteve.
/Priza.al/