“Nga largimi i Ilir Dajës tek marrëdhënia me Dervishin”/ Olsi Rama flet për situatën kaotike tek Partizani

Partizani është shndërruar në një vorbull të madhe zhvillimesh në këtë merkato të dimrit. Që pas largimit të Ilir Dajës, shumë ndryshime në skuadër dhe në stafet teknike e drejtuese kanë ndodhur.

Një prej tyre ishte edhe firma me Dritan Dervishin, i cili mori udhëheqjen e merkatos në rolin e drejtorit sportiv, siç u komunikua edhe nga zyrtarët e klubit. Më pas shumë largime e afrime ndodhën, teksa ditët e fundit raportohet për një krisje mes tij dhe drejtorit Olsi Rama.

Olsi Rama e ka mohuar diçka të tillë dhe e kalon topin në fushën e palës tjetër. Ai gjithashtu shton se Dritan Dervishi po kryen dhe do të kryejë rolin e një këshilluesi dhe jo atë të drejtorit sportiv, siç fillimisht u raportua brenda klubit dhe më pas në media.

“Kush ka mosmarrëveshje me Tan Dervishin? Mos i ka Tan Dervishi me veten e vet sepse unë për vete vazhdoj punën i qetë. Nuk e kuptoj përse duhet të flitet për këtë. Të bëhet lajm marrëdhënia e drejtorit me drejtorin vetëm në kushtet shqiptare ndodh. Tan Dervishi është afruar për të ndihmuar, siç ka qenë në të shkuarën pranë ekipit me një raport këshillues dhe do të vazhdojë me atë raport”, tha fillimisht drejtori i përgjithshëm i Partizanit.

LARGIMET – Më pas, ai u pyet edhe në lidhje me largime të tjera dhe u shpreh se “maratona” e tyre nuk ka përfunduar. “Mund të ketë edhe një ose dy largime”, tha shkurt Rama. Aktualisht nga Partizani janë larguar Emiljano Musta, Ergys Kaçe, Andrija Filipoviç dhe Lukas Kardozo, teksa së shpejti do t’i shtohen të tjerë lojtarë kësaj liste.

SULMUESI – Xhuliano Skuka është qendërsulmuesi i vetëm i sjellë në merkaton e dimrit te Partizani dhe drejtori është i vetëdijshëm se vetëm 23- vjeçari nga Dibra nuk mjafton. Ai shprehet se Partizani po punon për të sjellë një tjetër qendërsulmues.

“Do të përpiqemi të sjellim edhe një sulmues”, tha shkurt Rama në lidhje me këtë çështje.

MBROJTËSI I MAJTË – Rama konfirmoi edhe ardhjen e Fernandinjos dhe e quajti brazilianin lojtar të Partizanit. “Fernandinjo ka ardhur në Tiranë, është lojtar i Partizanit”, përfundoi ai prononcimin e shkurtër për gazetën.

/Burimi: Panorama Sport/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *