Autoritetet italiane kanë raportuar të premten se 1,913 mjekë dhe dentistë janë pezulluar nga detyra, pasi kanë refuzuar që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Asociacioni Kombëtar i Mjekëve dhe Dentistëve, ka thënë se mjekët kanë dështuar që të prezantojnë dëshminë e vaksinimit.
Njoftimi i 21 janarit vjen pas pezullimit të 1,656 mjekëve në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Profesionistëve mjekësorë u është kërkuar të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit, prej miratimit të ligjit të ri, që ka nisur të zbatohet në muajin prill.
Në total, të dhënat tregojnë që më shumë se 33,500 mjekë nuk janë të vaksinuar plotësisht në Itali.
Mirëpo në këtë shifër përfshihen edhe ata që janë shëruar nga koronavirusi dhe presin të vaksinohen, ata që janë vaksinuar jashtë Italisë dhe mjekët që nuk mund të imunizohen për arsye mjekësore.Përveç mjekëve, autoritetet kanë njoftuar edhe për pezullimin e rreth 6,000 infermierëve dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë për shkak të mosvaksinimit.
Një pjesë e tyre aktualisht janë të infektuar apo i janë nënshtruar masës së karantinës.
Në shtatë ditët e fundit në Itali janë regjistruar 2,011 raste të infektimit për 100,000 banorë, ka njoftuar Instituti Suprem i Shëndetësisë.
Rritja e shpejtë e rasteve të infektimit prej fillimit të vitit, ka shtyrë autoritetet që të ashpërsojnë kufizimet për luftim të pandemisë. Prej të enjtes, banorët e Italisë duhet të prezantojnë një test negativ për koronavirus nëse vizitojnë sallonet e bukurisë.
Më herët gjatë këtij muaji, Italia ka prezantuar një masë për vaksinim të detyrueshëm të personave mbi moshën 50-vjeçare.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i imunizimeve të kësaj grup-moshe është rritur pas marrjes së vendimit.