KOSOVË- Suksesi i filmit më të fundit kosovar ‘Zgjoi’ ka bërë që qeveria të bëjë një mbledhje, ku janë ndarë mjetet financiare në mbështetje të kampanjës së filmit.
‘Zgjoi’, film i cili trajton tematika sociale të shoqërisë së Kosovës, ka siguruar garimin për t’u nominuar në edicionin e 94-të të çmimeve ‘Oscars’.
Si rrjedhojë, Qeveria ka ndarë shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren pikërisht për mbështjetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit.
Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit. Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”, thuhet në vendimet e Qeverisë.
Filmi ‘Zgjoi’ është i bazuar mbi një histori të vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, nis një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.
Gjatë filmit trajtohen pikërisht sfidat e mëdha të një gruaje të vetme e cila merr situatën nën kontroll dhe zëvendëson në një farë mënyre ‘shtyllën e familjes’. Në një realitet patriarkal protagonistja vuan pasojat e ambicies, vetëformimit e të indipendencës. Triumfi i Fahrijes mes këtij realiteti të zymtë e të prapambetur jep mesazhe të forta sensibilzimi, jep njëkohësisht edhe gjendjen e Kosovës gjatë luftës. Nisur nga kjo ndërthurje e realitetit historik e social, vepra fitoi vlerësimin nga publiku, mbështetjen nga Qeveria e Kosovës mbi artin por ç’është më e rëndësishmja intrigoi Bashollin të realizonte një film bazuar mbi jetën e saj dhe peripecitë që iu desh të kalonte.
Pjesë nga filmi ‘Zgjoi’
/Priza.al/