Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzon KLP-në se i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që sipas tij i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje.
Fjala e Bardhit:
“Sistemi i drejtësisë është vënë në provë nga brenda vetes. KLP është paditur për manipulim dhe si shtojcë e Partisë Socialiste. Në shkelje flagrante të ligjit, KLP i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar.
Pyetja që e bën sot çdo shqiptar është:
A do të lejojë gjykata një SPAK të kapur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij si Taulant Balla?
A do të lejojë gjykata që të bëhet pjesë e SPAK prokurori famëkeq, Alfred Shehu?
Si mund të jetë i denjë për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin një prokuror që gënjeu hapur dhe publikisht për ti shërbyer bandave dhe korrupsionit qeveritar?
Përgjigja e këtyre pyetjeve nga drejtësia do të ndajë qartë nëse sistemi i ri i drejtësisë do t’u përkasë përfundimisht pushtetit dhe bandave, apo miliona euro dhe dollarë u shpenzuan që sistemi t’u shërbejë qytetarëve”, shkruan ai.
/Priza.al/