Këstet e fundit të kredive që Serbia kishte marrë gjatë viteve ‘70-të dhe ‘80-të, parashikohet që të përfundojnë në vitin 2041, kjo sipas parashikimeve më optimiste për ecurinë ekonomike të Serbisë. Shifra totale e këtij borxhi kalon një shumë prej 1.5 miliardë eurosh.
Siç shkruan “Blic” në Serbi, gjenerata të shumta në këtë shtet do të paguajnë edhe për shumë vite borxhet që i kishte marrë atë kohë ish-Jugosllavia nën qeverisjen e Josip Broz Titos.
Deri në fund të vitit 2022, Serbia do të duhet të paguajë saktësisht 241.8 milionë euro të marra nga ish-Jugosllavia. Bëhet fjalë për borxhe ndaj “Klubit të Parisit”, Bankës Botërore, por edhe shtetit të Kuvajtit. Vetëm kreditorëve të Parisit, ky shtet i ka borxh 741 milionë euro. Kësti i fundit do të paguhet në vitin 2041.
Për 20 vjet, në vitet ‘70-të dhe ‘80-të, Serbia kishte marrë borxh 8.8 miliardë euro. Atë kohë ishin përdorur për konsum, rritje standardi, paga e pensione, industri dhe infrastrukturë.
Serbia ia ka borxh “Klubit të Kreditorëve të Parisit” plot 740 milionë euro (kësti i fundit 2041), rreth 530 milionë euro Bankës Botërore (kësti i fundit 2031), Qeverisë së Kuvajtit 213 milionë euro (kësti i fundit 2034).
Josif Broz Tito ishte një nga udhëheqësit e ish-Jugosllavisë së dikurshme, që e udhëhoqi vendin për 35 vite. Ai njihet si udhëheqësi që mori borxhe të shumta për vendin e tij, për ta bërë Jugosllavinë një prej 4 shteteve më të fuqishme ushtarakisht dhe ekonomikisht në Europë, por sot e kësaj dite borxhet nuk janë shlyer ende.
/Burimi: Blic/Përshtati: Priza.al/