Mendoi se po u vidhte ushqimin disa femrave, por ato nuk ishin “pula” por për fat të keq luanesha, madje një tufe e madhe syresh…
Kështu e ka pësuar një luan “fatzi”, ky në pamje që trazoi një tufë luaneshash që sapo kishin fituar me shumë mund gjahun e tyre dhe nuk kishin ndër mend ta dorëzonin tek një mashkull, edhe pse ai konsiderohet si “mbreti i kafshëve” në Afrikë.
Fotot e shkrepura gjatë konfrontimit të ashpër tregojnë luanin gati të shqyer i cili sipas dëshmitarëve kishte humbur edhe organet gjenitale kur ato e sulmuan, pikërisht sepse donte t’u rrëmbente ushqimin që nënat luanesha e kishin siguruar për të vegjlit e tyre.
Luani i njohur në zonë si “Mandevo” u përpoq të merrte këlyshin e vrarë të antilopës nga nënat e reja, pa e kuptuar se ushqimi ishte për rreth 11 këlyshët e tyre që prisnin me barkun bosh.
Por luani Mandevo duket se nga babëzia e tij e pësoi keq, pasi nga kafshimet e ashpra të femrave jo vetëm u mbush tërë plagë, por humbi edhe testikujt mes përplasjeve në rezervatin “Maasai Mara” në Kenia. Kjo gjë detyroi veterinerët e parkut që ta qëllonin me qetësues me qëllim që t’i hiqnin një prej testikujve që po i varej për t’i shpëtuar jetën.
Fotografi britanik Gren Sowerby, ndoqi luftimin me kamerën e tij dhe më pas njoftoi kujdestarët e parkut, me qëllim që ata ti jepnin kafshës trajtimin veterinar.
Sowerby, viziton rregullisht zonën për të fotografuar kafshët. 71-vjeçari tha: “Ulërimat e tij ishin si të një makine Formula 1! Ai u shtri më pas dhe nisi të lëpinte veten.
Ne u surprizuan pasi nuk e kishim parë më parë këtë sjellje, por ndoshta ngaqë u lëndua shumë”.
Nëse Sowerby dhe grupi i tij nuk do të kishin dëshmuar incidentin, Mandevo mund të mos kishte marrë ndihmë për lëndimin e tij, çka do t’i sillte një ngordhje të sigurt.
Sowerby shtoi: “Rojet e parkut dërguan veterinerin nga Spitali i Elefantëve në Nairobi. Ai kreu operacionin dhe tani luani është duke u rikuperuar në botën e egër, duke u monitoruar nga zyrtarët e parkut”.
Por ajo që do të jetë e sigurt është se luani Mandevo do t’i qëndrojë për një kohë të gjatë larg nënave luanesha, e madje do të ketë një “kujtim” të përhershëm tashmë prej tyre.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/