Pedofilia në kishë/ Joseph Ratzinger pranon se dha informacion të rremë gjatë hetimeve

Të hënën Joseph Ratzinger, Papa Emeritus Benedikti XVI, pranoi se kishte dhënë informacion të rremë gjatë hetimit që e akuzon atë se nuk kishte marrë masat e duhura për katër raste të abuzimit seksual të të miturve që ndodhën midis viteve 1977 dhe 1982, kur ai ishte kryepeshkop i Monakos.

Ratzinger tha se, ndryshe nga sa kishte deklaruar, ai ishte i pranishëm në mbledhjen e 15 janarit 1980, në të cilën u vendos që të transferohej një prift i cili ishte akuzuar për abuzim seksual të të miturve në dioqezën e tij, akuza për të cilën Ratzinger kishte njohuri. Ndërsa më parë Ratzinger kishte thënë se nuk dinte gjë për akuzat ndaj priftit.

Ratzinger, megjithatë, tha se gjatë atij takimi u vendos që t’i jepet strehim priftit në fjalë, Peter Hullermann, për kohëzgjatjen e trajtimit të tij terapeutik, i cili u zhvillua në Mynih, ndërsa nuk u mor asnjë vendim për ricaktimin e tij në ‘ veprimtari baritore. Ricaktimi i cili më pas ndodhi gjithsesi. Në vitin 1986 Hullermann u dënua më pas për pedofili, por ai vazhdoi të punonte në famulli edhe në vitet pas dënimit.

Ratzinger tha se deklarata e gabuar nuk ishte bërë me keqbesim, por ishte “rezultat i një mbikëqyrjeje në hartimin e deklaratës së tij”. Ratzinger bëri të ditur gjithashtu se deklarata të mëtejshme mbi rrethanat e ricaktimit të Hullermann në punën baritore do të vijnë pasi ai të ketë lexuar plotësisht rezultatet e hetimit.

Një raport i një komisioni të pavarur gjerman zbuloi se ish-Papa Benedikti i XVI ishte i përfshirë në fshehjen e rasteve të abuzimit të fëmijëve kur ishte kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri në vitin 1982.

Papa Benedikti, i quajtur atëkohë Josef Ratzinger, nga komisioni, i cili u formua nga kompania ligjore gjermane “Westpfahl Spilker Wastl”, u akuzua për sjellje të pahijshme në të paktën katër raste të abuzimit të fëmijëve.

Pas një hetimi pothuajse 2-vjeçar mbi trajtimin e pretendimeve të abuzimit seksual nga Kisha Katolike Gjermane, komisioni njoftoi zbulimet e tij në një konferencë për media në Mynih.

Ish-papa iu përgjigj pyetjeve të komisionit dhe mohoi çdo keqbërje.

Një raport i mëparshëm i porositur nga Kisha Katolike Gjermane zbuloi se nga viti 1946 deri në vitin 2014 rreth 1.670 klerikë kanë kryer sulm seksual kundër 3.677 të miturve, kryesisht djem.

Në Romë, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha se Selia e Shenjtë do t’i kushtonte “vëmendjen e duhur” raportit gjerman, “përmbajtjen e të cilit për momentin nuk e di”.

Duke theksuar se do të studiohet në detaje në ditët në vijim, Bruni tha se Selia e Shenjtë përsëriti “ndjenjën e saj të turpit dhe pendimit”.

Kisha Katolike tashmë prej dekadash është tronditur nga skandalet lidhur me abuzimin e të miturve nga priftërinjtë dhe fshehjen sistematike të këtyre krimeve. Papa Françesku, ashtu si paraardhësi i tij Benedikti XVI, ka premtuar zero tolerancë për këtë çështje.

/Burimi: Il Post/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *