Donin ‘kokën’ e nipit të Aldo Bares, ja vendimi për autorët e masakrës së Lushnjës

Dy prej tre autorëve të vënë nën akuzën për masakrën e Lushnjës, kryer rreth 5 vite më parë janë dënuar me burgim të përjetshëm. Bëhet fjalë për Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Autori i tretë i atij sulmi brutal, Laert Haxhiu, vijon sot e asaj dite të jetë në kërkim nga ana e Policisë. Në fakt ishte pikërisht ky person që rezulton në kërkim që në kohën kur ndodhi masakra me dy të vrarë e dy të plagosur që u konsiderua edhe si autori kryesore i ngjarjes. Policia dhe më pas Prokuroria gjatë arrestimit dhe hetimit kanë pretenduar gjithnjë se bëhet fjalë për një hakmarrje mes bandave rivale në Lushnje, që nga koha kur në fuqi ishte banda gjakësore e drejtuar nga Aldo Bare.

Në tetorin e 2017-s kur dhe ndodhi ngjarja e rëndë në Lushnjë u bë me dije se shënjestër e atij sulmi me breshëri kallashnikovi kishte qenë nipi i Bares, Xhulio Shkurti, i cili për fatin e tij nuk u gjend me shokët në momentin e pritës. Por, Gjykata në vendimin e saj të akuzuarit për masakrën e Lushnjës i ka shfajësuar nga kjo akuzë duke iu lënë vetëm “vrasjen në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

VENDIMI

Sipas të dhënave, GJKKOja ka vendosur dënim të përjetshëm për Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, pasi që të dy u shpallën fajtor për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjës” në tetor të vitit 2017. SPAK-u thotë se në përpjekje për të eliminuar Xhulio Shkurtin, nipin e ishkreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

Të pandehurit u fajësuan për disa vepra penale, mes të cilave “vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në të njëjtin vendim gjykata shfajësoi të pandehurit nga akuza e “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë ndaj Xhulio Shkurtit, duke e pushuar këtë akuzë ndaj të pandehurve. Sipas akuzës, bëhet me dije se grupi kriminal, që ka në përbërje edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, ishte krijuar me qëllim vrasjen e djalit të vëllait të Aldo Bares, i cili ditën e ngjarjes ishte larguar nga grupi i miqve të tij vetëm pak sekonda para se ndaj tyre të qëllohej me breshëri kallashnikovi.

Prokurorët e SPAK-ut konkluduan se krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës së Lushnjës, në vitin 1998. Pas ngjarjes së rëndë, RENEA dhe FNSH-ja qëndruan me ditë të tëra në zonat e Beratit dhe të Elbasanit me qëllimin për të vënë në pranga atentatorit që përgjakën Lushnjën, por Bilbili dhe Kaloshi u arrestuan kohë më vonë ndërsa Haxhiu që mendohet të jetë edhe “truri” i grupit kriminal që donin të eliminonin nipin e Alfred Shkurtit që njihet edhe me emrin Aldo Bare.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *