Australia po shqyrton që të furnizojë me gaz natyror të lëngshëm (LNG) vendet e Bashkimit Evropian nëse Rusia pushton Ukrainën dhe vendet e unionit ndërpresin marrëdhëniet me presidentin Putin.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i shtetit për Burimet Natyrore dhe Ujore, Keith Pitt duke shtuar se eksportuesit australianë janë lider në tregjet botërore për furnizimin me gaz dhe se Australia mund të përballojë kërkesën në rritje për gazin natyror të lëngshëm.
“Kjo tregon se sa të rëndësishme janë burimet australiane për furnizimet me energji në mbarë botën,” tha Pitt në një deklaratë.
Deklarata e ministrit Keith Pitt erdhën pasi SHBA-të diskutuan me aleatët evropianë për një mundësi tjetër të furnizimit me gaz, krahas atij rus. Por sa efektive do të ishte furnizimi me gaz australian në një kontinent të varur nga gazi rus, siç është Evropa.
Australia renditet në vendin e 27 për sa i përket rezervave të gazit natyror, ndërsa Rusia renditet e para në botë, duke poseduar rreth çerekun e të gjithë gazit të globit. Vetëm Gjermani konsumon rreth 1/10 e gazit të lëngshëm që Australia disponon sot. Gjermania e cila është tërhequr disi nga deklaratat e ashpra kundër presidentit Putin është përfituesja kryesore e gazit përmes dy projekteve madhore strategjike NordStream 1 dhe Nordstream 2.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden zbuloi se SHBA-ja po “shikonte gjithashtu rrjedhën globale të LNG-së – qoftë nga Shtetet e Bashkuara, nga Australia apo nga vende të tjera”. Katari është gjithashtu pjesë e bisedimeve për furnizimin me energji.
“Biseda është me të vërtetë e gjerë me shumë kompani dhe vende në mbarë botën,” tha zyrtari i administratës në një konferencë shtypi.
Zyrtari tha se Rusia kishte kufizuar tashmë rrjedhën e gazit përmes tubacionit që kalon përmes Ukrainës nga rreth 100 milion metra kub në ditë në 50 milion.
Gazi natyror rus përmes tubacioneve ngroh shtëpitë dhe vë në punë fabrikat në pjesën më të madhe të Evropës, por njëkohësisht edhe burimi kryesor financiar i Moskës.
Planet vijnë pasi Britania e Madhe ngriti gjithashtu shqetësime për varësinë e Gjermanisë nga gazi rus.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se një nga “çështjet e mëdha me të cilat përballemi të gjithë” në hartimin e një pakete të fortë sanksionesh kundër Rusisë ishte “varësia e madhe, veçanërisht e miqve tanë evropianë, nga gazi rus”.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar ishte “në një pozicion më të fortë për t’i rezistuar shantazhit rus të gazit”.
“Ne duhet ta respektojmë këtë, por fakti i thjeshtë është se rreth 3% e furnizimeve me gaz të MB vjen nga Rusia, ndërsa rreth 36% e nevojave gjermane për energji vijnë nga gazi rus”, tha Johnson në Dhomën e Komunave të martën.
“Ne po punojmë së bashku me presidentin Biden dhe kolegë të tjerë për të parë se çfarë mund të bëjmë për të rritur furnizimin me gaz si në Evropë ashtu edhe në këtë vend.
/Burimi: The Guardian/ Përshtati: Priza.al/