Prezantimi si punonjës policie mesa duket është kthyer në modë nga persona që duan të fshehin veprimtarinë kriminale që kanë ndërmend të kryejnë. Një tjetër rast është zbuluar në kryeqytet nga policia, ku një i ri, pasagjer në makinën e drejtuar nga një femër, u prezantua si efektiv para uniformave blu që kërkuan të kryenin kontroll në mjet.
Në këtë makinë, u gjet një sasi lënde narkotike kokainë. Kështu, “polici” ra në pranga bashkë me shoferen femër, ndërsa një tjetër vajzë që ishte në makinë me ta u procedua penalisht për “moskallëzim krimi”.
Njoftimi nga policia e Tiranës:
U prezantua si punonjës policie, vihet në pranga 35-vjeçari. Vihet në pranga edhe drejtuesja e mjetit me të cilin udhëtonte ky shtetas, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– F. L., 35 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
– G. T., 24 vjeçe, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Ali Demi”, dhe gjatë kontrollit në mjetin që drejtonte shtetasja G. T., është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e llojit kokainë, ndërsa shtetasi F. L. është prezantuar si punonjës policie, duke paraqitur një portofol me stemën e Policisë.
Gjithashtu, nga specialisët për Hetimin e Narkotikëve u procedua penalisht shtetasja I. T., pasagjere në mjet, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/