FOTOLAJM/ Shkodër, ‘Mercedes-Benzi’ përplaset me shtyllën e lënë në mes të rrugës… pas zgjerimit  

Nuk është ky rasti i parë që kur në Shqipëri bëhen punime dhe zgjerohen rrugët, shtyllat e vjetra elektrike ose telefonike të betonit, hekurit apo drurit, lihen për shumë kohë pa u zhvendosur.

Këto në jo pak raste janë bërë objekt aksidentesh e madje në disa ngjarje kanë bërë që drejtues të automjeteve apo pasagjerë të tyre të humbasin jetën.

Por në Shqipëri rëndom faji u lihet viktimave, në një kohë që në ngjarje të tilla duhet të jetë ARRSH-ja, apo bashkitë pjesë e të cilës janë rrugët, që duhet të mbajnë përgjegjësi në bazë të ligjit, si dhe të dëmshpërblejnë të aksidentuarit ose familjarët e viktimave.

Një tjetër aksident i përsëritur ka ndodhur sot në një rrugë në dalje të qytetit të Shkodrës, ku një automjet “Mercedes-Benz 240” është përplasur me një shtyllë betoni të lënë aty edhe pas zgjerimit të rrugës.

Nga fotot e siguruara nga lexuesit e “Priza.al”, shikohet qartë se goditja e mjetit me shtyllën ka qenë tepër e fortë sa automjeti është dëmtuar tërësisht në pjesën e përparme, edhe pse një autoveturë nga më të fortat, në një kohë që shtylla është thuajse këputur fare.

Nuk kemi të dhëna nëse drejtuesi i automjetit ka shpëtuar me lëndime të vogla apo është keq për jetën, por nëse do të kishte qenë një automjet në vite më i ri se sa ai në foto, mbase pasojat do të ishin fatale.

Nëse shtylla do të ishte zhvendosur menjëherë pas mbarimit të punimeve në këtë rrugë, mbase ky aksident nuk do të kishte ndodhur, por objekte të tilla lihen për kohë të gjatë thuajse në mes të rrugëve, në një kohë që drejtuesit e automjeteve si përdorues të rrugës, paguajnë taksa pikërisht për cilësinë e rrugës por edhe për sigurinë e saj.

Në këtë rast, edhe pse automjeti mund të ketë qenë me shpejtësi, është përgjegjësia e autoriteve që kanë në posedim rrugën, ose i kompanisë që ka kryer punimet në këtë aks.

Njëri prej tyre tashmë duhet të dëmshpërblejë drejtuesin e automjetit.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *