Politika uron muajin e shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë. Agjërim në kushtet e pandemisë!

Besimtarët myslimanë nisin sot muajin e shenjtë të Ramazanit, agjërimin që zgjat një muaj. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit.

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka uruar të gjithë besimtarët që kanë nisur agjërimin.

“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët muslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit ”, shkruan Rama.

Po kështu edhe kryedemokrati Basha, ka uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar!

“Të dashur miq të besimit islam që nesër nisni agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, nga zemra ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar!

Le të shërbejë ky muaj për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e lutjeve tona drejtuar Zotit, të ndërtojmë një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzim për çdo familje shqiptare.

Agjërim të lehtë e të pranuar, dritë, shpresë dhe begati sjelltë ky muaj për ju, familjet tuaja dhe gjithë shqiptarët kudo që janë!”.

 

E ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet se muaji i Shenjtë i Ramazanit është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave që përballemi në familje, në shoqëri dhe në Shqipëri.

“Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë ju, të dashur motra e vëllezër besimtarë myslimanë.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit që nisi sot, është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave që përballemi në familje, në shoqëri dhe në Shqipëri.

Paqja dhe mirësia qoftë në zemrat dhe shtëpitë e çdo shqiptari!”, përfundon Kryemadhi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *