Një udhë mistike islame që ushqen përsosmërinë e njeriut është bektashizmi.
Unë prej trashëgimisë familjare e ndjek këtë udhë e i jam mirënjohëse babit, që edhe në kushtet e ndalimit të besimit, ende fëmijë mua e motrës na tregonte se sa rëndësi ka për njeriun dija, se injoranca është mjerim dhe se ndjekja e urtësisë së Zotit të bën më të mirë, më të drejtë, më të mençur dhe të lumtur.
Babai im është nip i një prej Kryegjyshërve Botërorë, Baba Kamber Meço (Prishta). Emrin si mali i shenjtë Tomor, ia ka vendosur Baba Kamberi. Dhe unë jam rritur duke parë në fshehtësi një foto të vockël të vjetër të një burri me mjekër e taç në kokë, me sy të mëdhenj të zinj, që shkëlqenin nën vetullat e dendura duke ia bërë shikimin të egër. Por babi më shpjegonte se qe një njeri i shenjtë, i butë, paqësor, plot nur mençurie. Ai qe Kryegjyshi Botëror Baba Kamberi.
Në fund të Luftës I Botërore, ai shkoi në SHBA për të mbledhur ndihma nga bashkë kombasit për ringritjen e teqeve të shkatërruara nga lufta, duke u lidhur fort me Federatën “Vatra” dhe drejtuesit e saj Konica e Noli. Pa ndihmoi në organizimin e shumë kongreseve bektashianë, në hartimin e statutit të bektashizmës ku theksohej se klerikët bektashianë duhet të jenë shtetas të Shqipërisë me gjuhë e gjak shqiptari dhe se gjuha zyrtare dhe fetare e sektit është shqipja.
Nën drejtimin e tij Kongresi i Turanit vendosi krijimin e kryegjyshatës bektashiane me qendër në Shqipëri. Në vitin 1944 kur e paralajmëruan të largohej nga vendi se komunizmi nuk e do Zotin e do t’i viheshin pas Baba Kamber Meço nuk pranoi, se ish kryegjyshi i të gjithë shqiptarëve e do t’u shërbente gjer në frymën e fundit.
“Bektashinjtë janë vëllezër jo vetëm midis tyre, por edhe me krejt njerëzimin. Ata duan me gjithë shpirt myslimanët e tjerë dhe të krishterët dhe shkojnë mirë me të gjithë njerëzit. Por mbi çdo gjë, ata dashurojnë atdheun dhe bashkatdhetarët e tyre dhe ky është më i madhi i gjithë virtyteve” thosh Naim Frashëri, bektashi i devotshëm dhe ne në familje ushqeheshim rregullisht nga kjo filozofi jete.
Por me një kusht të fortë, të heshtnim. Dhe ta qepnim mirë. Përndryshe përfundonim të internuar a të burgosur.
Sepse Baba Kamberin e arrestuan më 28 prill 1945. Pesë muaj në hetuesi, tortura dhe poshtërim. Më 3 shtator 1945, gjykata ushtarake e Gjirokastrës e dënoi në moshën 72 vjeçare me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtave qytetare e politike, si edhe sekuestrimin e pasurisë me akuzën: “Deklarohet fajtor për krimin se ka qenë pjesëtar koshient në organizimin dhe forcimin e organizatës tradhtare t Ballit Kombëtar, bashkëpunëtor i ngushtë i eksponentit Ali Këlcyra. Ka bërë propagandë në dëm të Lëvizjes NÇ. Ka transferuar në çerdhe tradhtarësh e armiqsh teqen e Prishtës dhe të Sukës”
Baba Kamberi refuzoi që të dorëzonte taçin, me argumentin se feja ishte krejt tjetër gjë nga politika, siç dëshmon Uran Butka në librin dedikuar Kryegjyshit Bektashian.
U shua në burg, pasi ia hoqën me dhunë taç e mjekër duke e lënë të vdekur për së gjalli pa krenarinë e qenësisë së tij në shërbim të Zotit.
Babi im në shënimet e tij, që më pas u bënë dokumentar kujton: “Ne të familjes e morëm vesh vdekjen e tij, por nuk u bë asnjë ceremoni dhe askush nuk fliste hapur për të. E mbanim në shpirt dhimbjen dhe imazhin. Në verë të vitit 1950, u hodhën me aeroplan në Përmet, Dangëlli e Skrapar fletushka të hartuara nga Komiteti Shqipëria e Lirë, ku flitej për vdekjen e baba Kamberit, këtij martiri të kombit dhe të bektashizmit. E kam parasysh si tani fotografinë e baba Kamberit në ato fletushka, që i mblodhi me ngut Sigurimi i Shtetit, që të mos i lexonte populli”.
Vetëm me ardhjen e demokracisë, në vitin 1993, me kujdesjen e babait tim, Tomor Meço, të Tomor Alikos dhe përkushtimin kryegjyshor të Dede Reshat Bardhit, eshtrat e tij u rivarrosën në tyrben e Kryegjyshatës, përkrah kryegjyshëve të tjerë.
Në ditën e Sulltan Nevruzit, festës kombëtare, ditëlindjes së Imam Aliut dhe në 30 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që sot drejtohet nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj m’erdhën shumë kujtime, të ëmbla e të hidhura, mu fanepsën lot trishtimi e gëzimi, që kanë shoqëruar rritjen time, familjen dhe njerëzit e dashur. Por ngahera shoqëruar nga një foto e vockël e një koke hijerëndë, me taçin prej shajaku e pëlhurën e gjelbër (gri në foton bardhezi), që na kujtonte se besimi është udha megjithëse e vështirë e një destinacioni të sigurt e përmbushës.
Tashmë në Kryegjyshatë, mes fotosh, arkivash, në këndet e muzeut është një copëz historie nga një bektashian i devotshëm me mbiemër Meço, që ka vendosur emrin e babait tim duke na bekuar qysh në lindje me dhuratën e besimit. Madje edhe e vogla ime, Amaris erdh në jetë bekuar nga kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi, një tjetër shpirt i dlirë, që nuk e pa dot vajzën time t’i buzëqeshte botës, por e bekoi ende sa një gogël në barkun tim, duke u shuar fill pas lutjeve për të.
E në homazh të një sakrifice në breza, Baba Reshati do të vlerësonte në mote Baba Kamberin e të tjerë me këtë dedikim që gjendet në Kryegjyshatë “Dede Kamber Prishta, së bashku me baba Mustafa Canaj, shpalosën shpirtin e madh të patriotit dhe të klerikut bektashian. Ata nuk u përkulën për asnjë çast, sepse besonin që flaka e qiririt të Haxhi Bektash Veliut nuk mund të fikej asnjëherë. Së bashku me mijëra klerikë dhe besimtarë të tjerë bektashianë, ata mbajtën të gjallë në shpirt besimin tek Zoti e tek Atdheu dhe u sakrifikuan për besimin e shenjtë. Brezat e sotëm dhe të nesërm do të përkulen kurdoherë me respekt pranë mezareve të tyre!”.
Ndaj sot jam e lumtur t’ju uroj si Sonilë dhe si Meço: Gëzuar Sulltan Nevruzin! Me dritën e bekimin e Zotit gjetshim paqen e vërtetë!
22 marsi im, përgjithmonë
Leave a comment