Iu kërkua dorëheqja dhe e dha! Pas shumë javësh presion, Lulzim Basha deklaroi ditën e djeshme në një konferencë për mediat, gjatë një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, së bashku me struktura të tjera të partisë opozitare, dorëheqjen e tij. Por tani nuk dihet sesi do të procedohet për zgjedhjen e pasardhësit të Bashës. Ky i fundit ka zgjedhur që të shkojë edhe sot në seli, por nuk ka qëndruar për asnjë moment para tyre për të dhënë ndonjë detaj, veçse i ka uruar për festën e Novruzit.
Ai duket se ka vendosur t’ia lërë zyrën të gjithën në dispozicion Enkelejd Alibeaj, tashmë kryetari i komanduar i PD-së, i cili ka shkuar për vizitë sot në Kryegjyshatën botërore të Bektashinjve. Deri më tani, nga selia blu thuhet se Alibeaj do të qëndrojë si kryetar i PD-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, proces ky që synohet të ndodhë pas zgjedhjeve lokale të 2023. Po sot, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, rikujtoi fitoren në zgjedhjet e para pluraliste në vend pas rënies së komunizimit duke u shprehur se “22 marsi”, duhet të kthehet në një ditë frymëzimi për demokratët për t’u bashkuar kundër kryeministrit Edi Rama.
Por Basha iku, e tani kërkohet edhe largimi i Berishës, e cila është në një nga 4 pikat e deklaratës zyrtare të grupit të deputetëve, pas largimit të Bashës për të nisur negociatat me deputetët e pezulluar, mbështetës të liderit historik të PD-së. Të gjithë bëjnë thirrje për bashkim, por s’ka ende asnjë datë për nisjen e negocitatave. Deri më tani raportohet se roli i bisedimeve me deputetë të Rithemelimit, i është caktuar deputetit Dashnor Sula. Përveç tij, në negociatat e bashkimit duket se janë përfshirë edhe Flamur Hoxha dhe Alfred Rushaj, duke dhënë sinjalet se shumë shpejt do të ketë një Kuvend bashkimi. Megjithatë sinjalet janë të qarta; Kuvendi Kombëtar i 30 prillit do të vendosë gjithçka, edhe kreun e ri të PD!